Maqedoni

Shoqata “Kult”: Pako ushqimore nxënësve të shkollës “Sande Shterioski”

04.12.2018 19:00

Shoqata “Kult” dhe fëmijët e festivalit “Dita jonë” dhuruan pako me artikuj ushqimorë dhe veshmbathje për fëmijët e paraleles...

Shoqata “Kult” dhe fëmijët e festivalit “Dita jonë” dhuruan pako me artikuj ushqimorë dhe veshmbathje për fëmijët e paraleles me nevoja të veçanta në Shkollën Fillore “Sande Shterioski” të Kërçovës.
 
Koordinatorja e festivalit “Dita Jonë”, profesoresha, Besiana Mehmeti, e shoqëruar nga nxënësit e Shkollës private të muzikës “Kult”, me rastin e Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, vizituan fëmijët e paraleles speciale të nxënësve pranë Shkollës “Sande Shterioski” në Kërçovë dhe iu dhuruan atyre pako me ushqime dhe veshmbathje, që u përcollën me këngë kushtuar lumturisë dhe ëndrrave fëmijërore, të interpretuara nga solistët e festivalit “Dita Jonë”.
 
Me këtë rast, drejtori i shkollës së qytetit, Rrahim Pinjolli, u shprehu mirënjohje fëmijëve të festivalit dhe drejtorit, Shkodran Tolaj, për këto dhurata të çmuara dhe çastet e bukura që i përjetuan sot nxënësit e paraleles me nevoja të veçanta të kësaj shkolle. 
 
Artistja dhe profesoresha, Besiana Mehmeti, u shpreh e lumtur që drejtori i festivalit, Shkodran Tolaj, dhe udhëheqësit e Shoqatës “Kult”, me propozim të drejtorit, Rrahim Pinjolli, vendosën që biletat e festivalit “Dita jonë” t’i destinojnë për një qëllim madhor dhe human, në Ditën e fëmijëve me nevoja të veçanta.
 
Kjo kategori e fëmijëve ka nevojë për një përkujdesje më të madhe, për ngrohtësi dhe çaste gëzimi që edhe ata të ndjehen të lumtur, tha Besiana Mehmeti dhe shtoi se mbështetja ndaj tyre duhet të jetë e vazhdueshme.
 
SHABAN DALIPI