VERA E OHRIT

“Gjymtimi” i TSHSH, sonte në “ Verën e Ohrit”

15.08.2014 14:27

Teatri Shqiptar i Shkupit, sonte në Festivalin Ndërkombëtar "Vera e Ohrit" në Qendrën për Kulturë "Grigor Përliçev" në Ohër, do ta shfaq premierën e shfaqjes "Gjymtimi", të autorit Martin McDonagh, me regji të Qëndrim Rijanit.......

Sipas drejtorit të Teatrit Shqiptar, Adem Karaga, Teatri Shqiptar merr pjesë  gjithmonë me kënaqësi në këtë festival.

"Çdo vit mundohemi që në festivalin 'Vera e Ohrit' të vijmë me diçka të re, me diçka të freskët. Një thënie thotë: “Kohët e reja vijnë me heronj të rinj” dhe mua më vjen jashtëzakonisht mirë që këta njerëz gjetën strofull të re në Teatrin Shqiptar, që t'i shfaqin njohuritë, aftësitë dhe profesionalizmin e tyre. Ky është teksti i dytë i autorit McDonagh që shfaqet në Teatrin tonë. Vlerësoj se kemi realizuar punë të mirë dhe bashkëpunim të shkëlqyer me regjisorin e ri, Rijanin", tha Karaga.

McDonagh, është një prej autorëve më të mëdhenj të ditëve të sotshme, i cili është prezantuar shpesh në skenat e Teatrit.

Regjisori i shfaqjes "Gjymtimi", Qëndrim Rijani, tha se teksti i McDonagh paraqet pasqyrim të realitetit të pranishëm edhe në këto hapësira, me të gjitha mangësitë dhe problematikat, me të gjitha gëzimet dhe hidhërimet.

"Vlerësimi im është se në shfaqje më shumë kujdes i kemi kushtuar pjesës dramatike, kundrejt pjesës komike të tekstit. Ngjarja zhvillohet në një qytet në SHBA, përmes të cilit kalon një lum dhe e ndan në dy mjedise irracionale, të mbushura me racizëm. McDonagh, përmes këtij teksti autorial dhe katër rolet në të, në mënyrë të shkëlqyer e pasqyron realitetin e egër të jetës së përditshme", theksoi Rijani.

Rolet i interpretojnë aktorët e njohur të Teatrit Shqiptar, si: Adem Karaga, Xhevdet Jashari, Amerins Nokshiqi dhe Luran Ahmeti.

Brutaliteti është një prej formave më të njohura, i shprehur në tekstet e McDonagh.

Autori, Martin McDonagh, është një nga dramaturgët modern irlandez/britanik, tekstet e të cilit kanë marrë vazhdimisht vlerësime, kurse në shfaqjet me tekstet e tij kanë interpretuar aktorë me famë botërore.