EKONOMI

“Teknikal Tekstile” fabrikë në Shtip, 600 punësime

15.08.2014 14:33

Kompania gjermane “Teknikal Tekstile” do të investojë 12 milion euro kapital fillestar në Maqedoni......

Objekti që do të fillojë të ndërtohet muajin e ardhshëm në Shtip,  do të ketë një sipërfaqe prej 9 mijë metrash katrorë. Prodhimi i tekstilit teknik apo leshit të xhamit, në këtë fabrikë planifikohet të fillojë në maj të vitit 2015.

Drejtori, Xhens Vanland, thotë se fillimisht do të punësohen 500 deri më 600 njerëz, që pas përzgjedhjes do të kalojnë një periudhë aftësimi në Sllovaki. Ky numër mund të rritet edhe deri në 1000, nëse prodhimet e fabrikës arrijnë të plasohen në tregun e huaj. Valand, paralajmëroi ndërtimin edhe të një reparti të ri me vlerë prej 12 milion euro në 2015. Firma fillimisht planifikonte të investonte në Abu Dabi, por u tërhoq për shkak të procedurave burokratike. 

“Është një vend i mirë për të investuar, nëse puna ecë si duhet, do të tërheqim edhe investues të tjerë”- deklaroi pronari i “ Teknikal Tekstile”, Xhens Vanlando.

Drejtori i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknike Teknologjike, Viktor Mizo, thotë se në 6 muajt e parë të vitit, eksporti në këto zona ka arritur në 550 milion euro, 100 milion vetëm në korrik. Deri në fund të vitit, pritet mbi 1 miliard euro. Mizo, thotë se po punohet për tërheqjen e investuesve të huaj në të gjitha zonat e tilla në Shkup,  Rankovc, Kërçovë dhe në zonat e reja që priten të ndërrohen shumë shpejt.

“15 zona të lira ekonomike, aktivisht do tu ofrohen investuesve të huaj. Firmat do të shpërndahen në të gjithë territorin e vendit dhe jo të përqendrohen vetëm në një vend. Kjo do të sjellë zhvillim të njëjtë në të gjithë vendin”- theksoi drejtori i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknike Teknologjike, Viktor Mizo.

Maqedonia ofron fuqi punëtore konkurrente jo vetëm të lirë, potencon Mirzo.  Sipas tij, marrë parasysh konkurrencën në rajon, vendi duhet të ofrojë paketë beneficionesh për investuesit. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)

Foto: mia.mk