Maqedoni
Kotcias për deklaratën e Zaevit për gjuhën: Është përzierje në punët e brendshme të Greqisë
06.12.2018 15:08
Deklarata e kryeministrit Zaev se në Greqi ka maqedonas dhe ekziston mundësia që atje të mësohet gjuha maqedonase....

Deklarata e kryeministrit Zaev se në Greqi ka maqedonas dhe ekziston mundësia që atje të mësohet gjuha maqedonase, është pritur jo mirë nga ish ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias. Për televizionin grek Antena, Kocias tha se po të kishte qenë akoma në qeverinë greke, do t’i bënte presion kryeministrit Zaev përmes Greqisë, BE-së dhe NATO-s, të ishte më i përmbajtur në euforinë e tij ndaj Marrëveshjes së Prespës.
Sipas Kociasit, Zaev në raport me mësimin e gjuhës në Greqi ka shkelur paragrafin i cili saktëson se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të shtetit tjetër. Kocias madje kërkon ndërrimin e nenit 49 të Kushtetutës së Maqedonisë, i cili thotë se: “Republika kujdeset për pozitën dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje dhe për emigrantët nga Maqedonia”.
“Dy çështje janë të rëndësishme nga Marrëveshja e Prespës. Neni që përcakton se asnjë vend nuk mund të përzihet në punët e brendshme të shtetit tjetër, rrjedhimisht se cila gjuhë do të mësohet në Greqi është kompetencë greke, dhe e dyta, ndërrimi i nenit 49 të Kushtetutës së Maqedonisë”,- u shpreh ish ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotcias.
Sidoqoftë, Kocias është optimist se Marrëveshja e Prespës do të kalojë në Parlamentin grek edhe përkundër mospajtimeve aktuale rreth saj. Edhe për liderin e Demokracisë së Re, Micotakis, kryeministri i Maqedonisë me deklaratën e tij po hap kutinë e Pandorës. Deputeti i kësaj partie, Jorgos Kumucakos, madje ka kërkuar nga qeveria greke të ndërmarrin masa më adekuate dhe të mos vazhdohet më tutje me ratifikimin e marrëveshjes.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
