Maqedoni
Kumanovë, rekonstruohet Sh. F. “Jeronim De Rada” në Çerkez
07.12.2018 15:33
Mbi 500 nxënës të Shkollës Fillore komunale “Jeronim De Rada”, të lagjes Çerkez në Kumanovë...

Mbi 500 nxënës të Shkollës Fillore komunale “Jeronim De Rada”, të lagjes Çerkez në Kumanovë, tani më procesin edukativ do ta zhvillojnë në kushte më të mira se më parë, kjo pasi kohëve të fundit në objektin e shkollës u krye rekonstruimi total, duke filluar nga ndërrimi i dritareve, dyerve, dyshemesë, fasadimi nga brenda i saj si dhe instalimi i ngrohjes qendrore.
I gjithë ky investim falë mjeteve të siguruara nga Unioni Evropian si dhe Banka Botërore, e që arrin shumën totale në vlerë prej 43.783 euro.
“Tash, me të vërtetë është kënaqësi që edhe nxënësit edhe mësimdhënësit të vijnë në shkollë, pasi që kushtet janë përmirësuar dukshëm, është investuar në ndërrimin e dyerve të klasave, dritaret, kemi fasaduar muret e klasave si dhe vendosjen e ngrohjes qendrore”,- u shpreh drejtori i Sh. F. “Jeronim De Rada” – Çerkez, Haki Jahiu.
“Është nder dhe kënaqësi që jemi këtu sot për të përuruar këto punime, ndoshta mund t’u duket e thjeshtë, mirëpo efekti që ka dhënë ky projekt është mjaft i madh dhe efikas, dhe ndihmën tepër në zhvillimin e procesit edukativo-arsimor”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
“Ne si qeveri kemi prioritet të investojmë në arsim. Buxheti i paraparë për arsim për vitin e ardhshëm arrin deri 27.4 miliardë denarë, pra 2 miliardë denarë më shumë se ky i tanishmi, gjithashtu edhe investimet janë rritur sa i përket sferës së arsimit, gjithashtu investojmë edhe në kuadrot arsimore, pasi që nga muaji shtator kemi rritje të pagave për 5%”,- deklaroi ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Ndryshe, në përurimin e këtyre punimeve të pranishëm ishin edhe drejtori i Bankës Botërore në Maqedoni, Marko Mantovanelli, si dhe kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
FATLUM AQIFI
