Maqedoni
Sheqerinska: Ia dorëzuam NATO-s programin e reformave
07.12.2018 16:16
Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO sjell me vete rritje të sigurisë, progres dhe shans për rritje ekonomike...

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO sjell me vete rritje të sigurisë, progres dhe shans për rritje ekonomike dhe investime të huaja, deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. Ajo sqaroi se dje ia kanë dorëzuar NATO-s programin për vazhdimin e reformave në fushën politike, që përfshin reformat në gjyqësor dhe shërbimet e sigurisë, reformat në mbrojtje si dhe shtyllën e tretë që ka të bëjë me përgatitjen e Maqedonisë për të funksionuar si shtet në koordinim me vendet anëtare të NATO-s.
“Presim që ky program të përkrahet nga vendet anëtare të NATO-s dhe presim në procedurë të shpejtë, në fillim të vitit 2019, me përfundimin e amendamenteve kushtetuese në parlament, Maqedonia praktikisht të ulet në tavolinën e NATO-s. NATO nuk pret programi të realizohet në muajin mars, por qëllimi është të sigurohen hapat e sigurt, që do të realizohen në periudhën kur do të bëhet paralelisht edhe nënshkrimi i protokollit të vendeve anëtare të NATO-s”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
Nga integrimi në NATO vendi do të ketë edhe përfitime ekonomike, thonë ekspertët. Por, ata theksojnë nevojën e sundimit të së drejtës si indikator kryesor për thithjen e investimeve të huaja si dhe rritjen e buxhetit për mbrojtje, me qëllim që të sigurohet përqindja për buxhetin që i takon Aleancës veri-atlantike. Ata presin që të sillet participimi diku si në Shqipëri dhe Mal të Zi, respektivisht përqindje adekuate në raport me BPV-në.
“Sipas propozim buxhetin për vitin 2019, mund të shohim se për mbrojtje është rritur buxheti për 31 milion euro. Për ta arritur 2% nga BPV, duhet ta rritim buxhetin për mbrojtje shkallë-shkallë secilin vit për 0,25% nga BPV. Këto mjete duhet të sigurohen në ndonjëfarë mënyre”,- tha ekonomistja, Ivana Velkovska.
Gjithsesi me integrim të plotë në NATO nuk përfundojnë problemet tona. Nevojitet forcë dhe kapacitet për të transformuar shtetin, me qëllim që qytetarët të gëzojnë jetë më të mirë, thanë panelistët në debatin mbi efektet e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, të organizuar nga Instituti për politikë europiane.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
