Maqedoni
Diskutimi publik i pr/amendamenteve kushtetuese, Fiti: Zgjidhje e dhimbshme, por pa alternativë
07.12.2018 17:22
Amendamentet kushtetuese u hodhën në diskutim publik para anëtarëve të Akademisë dhe Shkencave dhe Arteve.....

Edhe pse nuk janë të njëzëri, shumica e akademikëve konsiderojnë se me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës zgjidhet kontesti dypalësh, hapet perspektiva euroatlantike, ndërsa çështjet identitare përfundimisht zgjidhen dhe përforcohen. Në planin ekonomik përfitimet ekonomike janë të mëdha dhe të pakontestueshme, konsideron AShAM-i.
“Nuk jemi të njëzëri në Akademi, ka edhe këndvështrime, botëkuptime dhe mendime të ndryshme. Gjithmonë themi se ato janë imanente për një institucion shkencor siç është AShAM-i, por gjithashtu themi se janë legjitime dhe kredibile, por legjitimiteti dhe kredibiliteti në masë të madhe varet nga ajo nëse ato qëndrime shoqërohen me zgjidhje alternative dhe ato propozime dhe zgjidhje alternative gjithashtu duhet të jenë argumentuar mirë. Përndryshe, është lehtë të kritikohet pa treguar se si më tej”,- tha kryetari i AShAM-it, Taki Fiti.
Akademiku, Vllado Kamboski, konsideron se ndryshimet kushtetuese nuk janë të parat dhe reflektojnë dinamikën e nevojave të shoqërisë në Maqedoni. Marrë parasysh përcaktim pro-evropian të shumicës dërmuese të opinionit publik në vend, edhe këto ndryshime gëzojnë mbështetjen e qytetarëve, theksoi ai.
“RM-ja nga 1991 deri sot ka miratuar 32 amendamente, kjo dëshmon se ato shprehin dinamikën e ndryshimeve shoqërore dhe pajtimin e disa niveleve të zhvillimit të shoqërisë maqedonase për përshtatjen e kornizës kushtetuese të pritjeve. Kush e di se sa kundërshtime të ketë para ndryshimeve kushtetuese, në fund arrihet konsensus i të gjithë faktorëve kryesorë politikë dhe shoqërorë, siç ishte për amendamentet pas MO-së dhe amendamentet kushtetuese në 2005-n, të cilat ndërhynin në çështje të ndjeshme, të parat për zhvillimin e shoqërisë maqedonase në multinacionale dhe multikulturore dhe të dytat në drejtim të reformave dhe përforcimit të parimit për ndarjen e pushtetit dhe pavarësimin e gjyqësisë”,- tha akademiku, Vllado Kambovski.
Ndërkaq, eksperti juridik, Svetomir Shkariç, shkon edhe më tej. Ai përveç detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, propozon që ky dokument të bëhet pjesë e kushtetutës, duke e shtuar të plotë si amendament në vete.
Për anëtarët e ekzekutivit, Marrëveshja e Prespës është marrëveshja më e mirë e mundshme ku të gjitha palët janë fitimtare. Ajo zgjidh kontestin dypalësh dhe i mundëson Maqedonisë të jetë pjesëmarrëse në tryezat ku vendoset për Maqedoninë dhe rajonin, tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
“2018 është viti kur Maqedonia u bë vendi i vetëm në rajon pa asnjë çështje të hapur me fqinjët, vendi i vetëm në rajon pa asnjë centimetër kufi të kontestuar dhe kjo nuk duhet nënçmuar në një shtet i cili gjeografikisht është në linjën e frontit mes lindjes dhe perëndimit, e cila gjeografikisht është në udhëkryqin mes lindjes dhe perëndimit”,- theksoi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Diskutimi në AShAM është i treti i këtij lloji. Të hënën do të mbahen edhe dy diskutime paralele, njëri në Tetovë dhe tjetri në Shtip. Sugjerimet për ndryshimet kushtetuese, që janë në frymën e Marrëveshjes së Prespës, do të përfshihen në raportin e Qeverisë, i cili do t’i dërgohet Kuvendit.
SHPËTIM NUREDINI
