Maqedoni
Korpusi i Paqes në Maqedoni, 48 vullnetarë amerikanë dhanë betimin
07.12.2018 17:54
48 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes në Maqedoni e dhanë betimin si pjesë e grupit të 23...

48 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes në Maqedoni e dhanë betimin si pjesë e grupit të 23 me radhë të cilët do të jetojnë dhe do të punojnë në Maqedoni duke iu bashkëngjitur grupit të 750 qytetarëve të ShBA-ve që kanë shërbyer si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Maqedoni që nga viti 1996. Gjatë trajnimit të tyre përgatitor, vullnetarët amerikanë jetuan me familje nikoqire si dhe mësuan kulturën, gjuhën shqipe dhe atë maqedonase.
“Kaq shumë gjëra përjetuam, edhe të këndshme edhe jo aq të këndshme, qoftë diçka po aq e vogël sa dëgjimi i tingullit të hapave të mi rrugës për në shtëpi”,- theksoi vullnetarja e Korpusit të Paqes, Daniela Vojtalevic.
Ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli, vlerëson se vullnetarët reflektojnë më të mirën e asaj që Amerika i ofron botës, por marrin me vete më të mirën që Maqedonia i ofron botës dhe Shteteve të Bashkuara, duke ndërtuar ura të përjetshme të bashkëpunimit mes njerëzve.
“Faleminderit që u përkushtuat në bashkimin e vendeve tona dhe që u treguat vullnetarëve tanë kulturën dhe mikpritjen tuaj, dhe faleminderit të gjithë anëtarëve të grupit të 23 të vullnetarëve të Korpusit të Paqes të cilët kanë zgjedhur të shërbejnë në Maqedoni”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
“Vullnetarët jetojnë me familje lokale, punojnë me ta dhe ju ndihmojnë. Pas dy vitesh, vullnetarët të cilët shkojnë, thonë se gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoni ata jo vetëm që kanë ndryshuar, por janë transformuar. Kanë më shumë vetëbesim dhe aftësi për të zgjidhur probleme”,- tha drejtori i Korpusit të Paqes në Maqedoni, Mark Hannafin.
“Në kuadër të aktiviteteve të shumta në segmente tjera, pjesëtarët e Korpusit të Paqes do të përfshihen edhe në shkollat fillore dhe të mesme me qëllim që të japin kontribut në përmirësimin e cilësisë në arsim”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi.
“Nga ky vend do të doja të theksoja bashkëpunimin e shkëlqyer që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Korpusi i Paqes e kanë në kuadër të programit për zhvillimin e komunitetit i cili e mbulon mbështetjen e grupeve në nevojë, personave dhe fëmijëve me aftësi të veçanta”,- u shpreh ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska.
“Qytetarët e Maqedonisë me dekada ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme me ShBA-të, kemi realizuar shumë projekte të përbashkëta të financuara drejtpërdrejt nga obliguesit tatimor të ShBA-ve, të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë”,- u shpreh ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.
Korpusi i Paqes është themeluar në vitin 1961 nga presidenti, Xhon Kenedi, dhe ka tre qëllime: t’ju ndihmojë shteteve që kanë nevojë për individë të trajnuar që do të ofrojnë ndihmë teknike, të ndihmojnë në promovimin dhe njohjen më të mirë të amerikanëve përmes vullnetarëve, si dhe të promovojë njohjen më të mirë të popujve të ndryshëm nga ana e amerikanëve.
GYLTENE SINANI
