Maqedoni
Ivanov: Asnjëherë nuk kemi diskutuar për gjendje lufte
07.12.2018 18:15
Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, në një pres konferencë nga kabineti i tij ka hedhur poshtë.....

Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, në një pres konferencë nga kabineti i tij ka hedhur poshtë pohimet e një të akuzuari se natën e 27 prillit ka përgatitur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, apo gjendje lufte. Ai është i sigurt se dëshmitë e të akuzuarve për 27 prillin janë tentim për shpërqendrim të opinionit nga organizatorët e vërtetë të skenarit të dhunshëm vitin e kaluar.
Reagimi i presidentit vjen pasi i akuzuari, Aleksandar Vasilevski-Ninxha, ka deklaruar në gjykatë se hyrja e dhunshme në kuvend është organizuar nga DSK dhe se janë përfshirë edhe persona nga kabineti i presidentit Ivanov. Po ashtu Ivanov mohon çfarëdo presioni ndërkombëtar ndaj tij për të hequr dorë nga plani eventual për gjendjen e jashtëzakonshme.
“Në kabinetin e presidentit të Maqedonisë asnjëherë nuk është biseduar aq më pak është menduar për shpalljen e gjendjes së luftës apo gjendjes së jashtëzakonshme. Me këtë unë i përgënjeshtroj të gjitha spekulimet se Bashkësia Ndërkombëtare ka pasur çfarëdolloj presioni ndaj meje që unë të heq dorë nga çfarëdolloj plani për shpalljen e gjendjes së luftës apo situatës së jashtëzakonshme. Unë në këtë moment publikisht i ftoj të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që publikisht të dalin dhe të tregojnë se kush janë ata që më kanë bërë presion. Skenare për gjendje ushtarake nuk ka pasur, nëse eventualisht në Republikën e Maqedonisë nuk kanë funksionuar institucione paralele, komandant paralel i forcave ushtarake dhe gjeneral-shtabi paralel i ARM-së. Ju siguroj që më 27 prill ne nuk kishim asgjë nga kjo. Unë si president dhe kabineti im gati një vit e gjysme jemi vazhdimisht cak i sulmit dhe cak i gënjeshtrave, me një qëllim të vetëm, që me çdo çmim të na përfshijnë në ngjarjet e 27 prillit”,- tha presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
