Botë

Vuçiq: Nuk luftojmë me Kosovën sepse e mbron Amerika

07.12.2018 18:44

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia nuk e ka ndërmend.....

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia nuk e ka ndërmend të futet në luftë me Kosovën, pasi këtë të fundit, sipas tij, e mbron Amerika.
 
“Ne nuk mund ta mposhtim ushtarakisht Amerikën. Njëherë e kemi provuar dhe e dimë mirë si kaloi e gjitha. Megjithatë, nuk mendoj se atëherë Serbia ishte fajtore, ajo ishte e sulmuar, por, hajde le t’i ruajmë jetët e njerëzve”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në qytetin e Kragujevcit, ku përuroi një fabrikë.
 
Vuçiq ka thënë që Serbia, megjithatë, nuk do të pushojë së angazhuari për të mbrojtur popullin serb në Kosovë, pasi shqiptarët, sipas tij, po sillen ashpër.
 
“Ata po veprojnë me rregullat e të fortit. Nuk kam thënë kot se Amerika për ta është nënë dhe baba”, ka thënë Vuçiq.
 
“Është e vërtetë ajo që ka thënë Haradinaj, çfarëdo që ndodh, amerikanët përgjithmonë do të jenë në anën e tyre dhe është koha e fundit që ne të pajtohemi me këtë fakt. Ne jemi të shtyrë në qoshe. A mos po mendoni se ndoshta Serbia do ta detyrojë Amerikën të ndryshojë qëndrim?” ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, se formimi i ushtrisë së Kosovës është hap pozitiv.