EKONOMI

Neziri: Nga gazifikimi, ulen shpenzimet e ngrohjes për 40%

15.08.2014 16:06

Në fund të muajit shtator, do të hapet thirrja publike për partneritet privato- publik, për të ndërtuar rrjetin e shumëpritur të shpërndarjes së gazit natyror në Maqedoninë lindore dhe perëndimore.....

Qeveria e Maqedonisë, në një prej seancave të fundit miratoi studimin e fizibilitetit për ndërtimin e rrjetit të gazifikimit në 80 Komuna.

Prej muajit të ardhshëm, të gjitha kompanitë mund të paraqiten në këtë thirrje nëse janë të interesuara që së bashku me Qeverinë të investojnë në rrjetin e gazifikimit të vendit. Koncesionerët do të kenë për obligim të investojnë në rrjetin tercial, në kyçjen e amvisërive, në rrjetin distributiv të gazit dhe në furnizimin e të gjitha pajisjeve të nevojshme.

“Në studimet e fizibilitetit, është definuar  që ndërtimi i gazifikimit të bëhet në tre rajone edhe atë në rajonin e Shkupit, në rajonin perëndimor dhe lindor. Ndërtimi i sistemit nacional të gazit dhe lidhshmërinë e tij me rrjetet nacionale të gazit, është një ndër projektet më të rëndësishme të kësaj Qeverie”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vladimir Peshevski.

“Nëse nënshkruhet kontrata me ndonjë kompani të caktuar, atëherë vitin e parë kompania do të ketë kohë për t’i bërë parapërgatitjet e projektit, i cili përfshin edhe ofertën financiare.  Pas mbarimit të këtyre përgatitjeve, vijon  periudha 4 vjeçare, e cila është caktuar për ndërtim të rrjetit të gazifikimit në tërë territorin e vendi. Nëse thirrja publike është e suksesshme deri në vitin 2015,  atëherë mund të themi se në 2020 mund të kemi sistem të përgjithshëm shpërndarës të gazit në të gjithë Maqedoninë”- theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski.

Përfitimi nga furnizimi me gaz natyror dhe ndërtimi i rrjetit gazifikues, do të jetë i madh sidomos në aspektin ekonomik, tha numri “një” i Ministrisë së Ekonomisë, Bekim Neziri.

“Kursimi prej tejkalimit për ngrohje me vajra ekstra të lehtë në gaz nëpër objekte individuale, si për shembull objektet e banimit prej 240 metra katrorë, kursimi do të jetë diku rreth 40 për qind, ndërsa në objektet publike  ky tejkalim prej ngrohjes me vajra ekstra të lehta  në gazë do të ketë kursim diku prej 24 për qind. Ky projekt është një ndër projektet vitale dhe projektet kyçe, që do të ketë efekte pozitive edhe te qytetarët, po do të ketë efekt pozitiv edhe te ndërmarrjet në Republikën e Maqedonisë”- potencoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Sipas studimeve të fizibilitetit, ndërtimi i tërësishëm i gazifikimit në tre rajonet e vendit, do të kushtojë 150 milion euro, prej të cilave 100 milion euro do të shpenzohen vetëm për  rajonin e Shkupit. Rrjeti distributiv i gazit do të jetë me gjatësi prej 650 kilometra. (Rexhep Qamili, TVM2)