Shqipëri, studentët protestojnë, kërkojnë përmirësimin e kushteve

08.12.2018 19:01

Ashtu siç ndodhi në vitin 1990, kur mijëra student dolën në protesta...

Ashtu siç ndodhi në vitin 1990, kur mijëra student dolën në protesta masive kundër regjimit komunist, mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria protestojnë prej 5 ditësh para Ministrisë së Arsimit.

Ata kërkojnë uljen e tarifave të shkollimit dhe përmirësimin e kushteve në universitete dhe konvikte.

Ministria e Arsimit u ka pranuar pjesërisht kërkesat, por studnetët e kanë rritur numrin e tyre, duke deklaruar se nuk tërhiqen nëse nuk u plotësohen të gjtiha kërkesat.

Përveçse në Tiranë, në protesta janë ngritur edhe studentë nga Shkodra, Elbasani, Vlora, Korça dhe Durrësi.

Sot është data 8 dhjetor, Dita e Rinisë, e vendosur me një vendim të 2009 të Kuvendit për të kujtuar studentët e Dhjetorit të 1990. E ndërsa kanë kaluar 28 vite nga ajo ditë, studentët sot kjo datë i gjen në protestë, pasi kërkojnë mbi të gjithë përgjysmimin e tarifave të studimit.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla kanë ftuar studentët për dialog, por ata nuk pranojnë nëse nuk u plotësohen kërkesat.

Ndërkohë, duket se dhjetori është sezon protestash, pasi edhe banorët e Unazës së re protestojnë kundër projektit të zgjerimit të Unazës, nga i cili u prishen banesat. Ndërkohë, edhe banorët e zonës së Shkozës kundërshtojnë projektin që çon në prishjen e banesave të tyre. (Luljeta Ndoka, TVM2)