LAVDRIM MUHAXHERI

Interpol-i, në kërkim të Lavdërim Muhaxherit

15.08.2014 16:17

Interpol-i, ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Kosovës që Lavdërim Muhaxheri të përfshihet në sistemin e kërkimit të Policisë Ndërkombëtare.......

Vendosjen e Muhaxherit, që aktualisht po lufton në Irak, nën emblemën e Shtetit Islamik të Sirisë dhe Levanit, në listën e të kërkuarve të Interpolit e ka konfirmuar për mediat në Kosovë Gjykata Themelore në Ferizaj.

Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale, ka pranuar kërkesën e Gjykatës Themelore të Ferizajt, e cila e kërkon Muhaxherin për veprime të terrorizmit dhe organizim të grupeve për të shkuar në Siri e Irak.

Sahit Krasniqi, gjykatësi që ka lëshuar vendimin e fletëarrestit ndërkombëtar për Muhaxherin, ka konfirmuar se nga Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Ministrisë së Drejtësisë është njoftuar se kërkesa për fletëarrest ndërkombëtar është aprovuar. Në këtë mënyrë, prej tani Muhaxheri do të jetë njëri nga të kërkuarit e Interpolit.

Përderisa për Muhaxherin është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar, sipas Gjykatës, ekziston edhe një grup tjetër personash, ndaj të cilëve janë aplikuar masat e përgjimit, pikërisht nën dyshimet për terrorizëm.

Fletëarresti për Muhaxherin është kërkuar nga Prokuroria Speciale më 2 maj të këtij viti.