Punëtorët e krahut, mezi sigurojnë ekzistencën
Në kohën kur gjithnjë e më e vështirë është të vihet deri te një vend i përhershëm pune qoftë në sektorin publik apo atë privat, poshtë urës së këmbësorëve në “Bit-pazar” të Shkupit, i gjen për çdo dit punëtorët e krahut, të cilët presin që të vijë t’i marrë dikush për të kryer ndonjë punë fizike për pak para.....
“Presim prej në 7 deri në 3 apo 4. Punë nuk ka përdit, çdo tre ditë punojmë. Paguhet deri në 12 euro apo 700 deri në 800 denarë. Punojmë çfarëdo pune, me grry, gragjovin, materiale, bajm ciglla, mallter”- u shpreh një punëtorë krahu.
Por, ata thonë se e kanë të vështirë të mbajnë familjen me këtë punë.
“Ne jemi pesë anëtarë në shtëpi, nuk mbahet familja me këto pare.Nuk mbahet familja, sepse një ditë punon, 5 ditë nuk punon.Me një ditë pune a mund të mbash 5 anëtarë, s’mundet”- tha një tjetër punëtorë krahu.
Me gjithë temperaturat e larta, ata thonë se janë të detyruar që në këtë periudhë të vitit të punojnë, sepse tani ka punë më shumë, për shkak edhe të pranisë së mërgimtarëve.
“Tash verës më së shumti, tani kanë ardhur edhe gurbetçarët, ata po punojnë pak më tepër, se me mbetur për këtu katastrofë. Unë i kam borxh vetëm Shtetit për rrymë afër 150 mijë denarë, nuk mundem të paguaj, nuk mundem ta mbërri, ujin e kemi njejt, po tani kanë thënë se do të na e falin, sa është e vërtetë nuk e dimë”- theksoi një punëtorë krahu.
E megjithatë ëndrra jetësore e këtyre njerëzve nuk ka qenë kjo, dikur i intervistuari ynë ka ëndërruar të merret me muzikë, por në fshat ka mundur të mbarojë vetëm shkollën fillore dhe nuk ka arritur të realizojë ëndrrën e tij.
“Për zanat e kam pas merak muzikën, e kam një vëlla, ai ka kënduar pak nëpër oda, e kam pasur merak, por tashti nuk e di, nuk patëm mundësi”- u shpreh një punëtorë krahu.
Por, kur nuk arriti të realizojë ëndrrën e tij, ai thotë se bën çmos që t’i shkollojë fëmijët, që të paktën ata të mund të kenë një profesion, për të realizuar një jetë më të mirë. (Gyltene Sinani, TVM2)
