Maqedoni
Qeveria: me planin për uljen e ndotjes, pas dy vitesh ndotja e ajrit do të ulet 50%
10.12.2018 15:52
Me planin e qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, i cili duhet të implementohet në dy vitet e ardhshme...

Me planin e qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, i cili duhet të implementohet në dy vitet e ardhshme, në qytetet e mëdha parashikohet ulje e ndotjes deri në 50%.
Në buxhetin për vitin 2019 për implementimin e planit për uljen e ndotjes së ajrit qeveria ka ndarë 1.6 milion euro, ndërsa edhe 22 milion euro janë paraparë nga institucionet tjera të cilat do të dedikohen për implementimin e masave.
Po ashtu qeveria e prezantoi planin para donatorëve ndërkombëtarë, nga të cilët kërkuan ndihmë financiare dhe teknike.
“Të gjitha praktikat botërore tregojnë se nuk ka mjete të shpejta brenda natës që mund të zgjidhin probleme të tilla komplekse. Por, vetëm strategjitë, qoftë ato afatshkurta apo afatgjata, janë qasja më e mirë për të zgjidhur këtë problem. Andaj ne vendosëm një strategji kombëtare, fillimisht 2 vjeçare, afatshkurtër me një target për të zvogëluar ndotjen e ajrit për 50% në qytetet tona në 2 vitet e ardhshme. Shfrytëzojmë këtë strategji si platformë për një strategji më afatgjate për ndotjen e ajrit”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Një ndër masat për uljen e ndotjes së ajrit në Maqedoni do të jetë edhe vendimi për ndalimin e përdorimit të qymyrit si lëndë ngrohëse nga amvisëritë.
“Qytetarët nuk duan të ndotin por ne duhet të ndihmojmë dhe këtë do ta bëjmë me subvencione për burime ekologjike, me rritjen e efikasitetit energjetik, me ndryshimin e furrave që i kanë prej qymyri, dhe besoj se do të kemi konsensus në Kuvend që me ligj të ndalojmë përdorimin e qymyrit për ngrohje. Zëvendësimi i mjeteve të ngrohjes mund të sjellë në rezultat të shpejtë, mua më gëzon fakti se tashmë kemi disa zgjidhje, ku po ndryshohet furrat e vjetra dhe të shtrenjta të naftës dhe mazutit. Kjo nuk është çështje ekologjike, por ekonomike. Për shembull nëse në një çerdhe në qendër për një vit harxhohen 18 mijë euro për naftë, dhe nëse e njëjta do të zëvendësohet me invertorë, ajo do të ulet në 3.5 mijë euro”,- tha zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.
Sipas raportit më të ri të Agjencisë Evropiane për Mjedis Jetësor për ndotje të ajrit në Evropë, Maqedonia është ranguar ndër vendet më të ndotura në Evropë, ndërsa qytetet, si Shkupi, Manastiri dhe Tetova, janë në mesin e 10 qyteteve më të ndotura në Europë.
REJHANE BUSHI METAJ
