Maqedoni
Takim Xhaferi - Ruçi, Ruçi: Ivanov të institucionalizojë shqipen
10.12.2018 16:11
Thellimi i bashkëpunimit fqinjësor midis Maqedonisë dhe Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon.....

Thellimi i bashkëpunimit fqinjësor midis Maqedonisë dhe Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, ishin temat boshte që u diskutuan midis dy kryeparlamentarëve, atij të Maqedonisë, Talat Xhaferit, dhe të Shqipërisë, Gramoz Ruçit, në Shkup. Ruçi ka përshëndetur arritjen e Marrëveshjen së Prespës, ndërkaq kërkoi nga presidenti Ivanov që ligji për gjuhën shqipe të gëzojë zbatim institucional.
“Pakica kombëtare maqedonase në Prespë sot ka një ligj organik, bashkëkohor, brenda standardeve të Bashkimit Europian. Sigurisht që do të kërkojë që të njëjtën gjë edhe popullata shqiptare në Maqedoni ta gëzojë. Unë, sikurse u shpreha, kam përshëndetur ligjin që është ndërmarrë dhe do ta inkurajoja çdo përfaqësues të shtetit të Maqedonisë që të dakordësohet dhe të japë kontributin institucional për realizimin e tyre”,- tha kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Dy homologët kanë theksuar rëndësinë e zgjidhjes së problemeve ndërfqinjësore nëpërmjet dialogut për të shpjerë vendet më afër familjes europiane.
“U pajtuam së bashku se është sukses i madh dhe prova më e mirë se vetëm me dialog mund të përmbyllen çështjet e hapura shumëvjeçare me fqinjët dhe kjo është mënyra e vetme që në formë të pangarkuar të vazhdohet përpara kah avancimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Kryeparlamentari i Shqipërisë, Ruçi, iu drejtua edhe deputetëve duke i përgëzuar ata për hapjen e kushtetutës. Ruçi tha se Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO-s si dhe bashkë për t’u anëtarësuar në BE.
“Vendi ynë nuk ka asnjë projekt mbi apo nën tavolinë për të krijuar të ashtuquajturën Shqipërinë e Madhe. Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet: shqiptarët të gjithë të bashkuar në familjen e madhe të Bashkimit Europian”,- u shpreh kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Dy kryeparlamentarët, Xhaferi dhe Ruçi, gjithashtu theksuan rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor, përfshirë korridorin 8.
MERAL ISMAILI
