“Monstra” - ekspertiza mjekoligjore: Viktimat u vranë me armë zjarri nga dy lokacione
Ekspertët mjekoligjorë, Zllatko Jaqovski dhe Biljana Janevska....

Ekspertët mjekoligjorë, Zllatko Jaqovski dhe Biljana Janevska, shpjeguan edhe njëherë në gjykatë ekspertizën e tyre mjekoligjore për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.
Pamëdyshje thanë se pesë viktimat janë vrarë në vendin ku janë gjetur trupat e pajetë dhe se të njëjtit janë vrarë në periudhë shumë të shkurtër kohore. Siç sqaruan ekspertët mjekoligjorë, ata janë gjuajtur nga dy lokacione të ndryshme në afërsi të liqenit, ndërsa kanë vdekur nga më shumë plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Të akuzuarit kontestuan disa pjesë të ekspertizës mjekoligjore duke insistuar se për këtë rast duhet bërë ekspertizë e re mjekoligjore.
Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Monstra” nuk morën pjesë familjarët e djemve dhe të peshkatarit të vrarë, pasi që informuan gjykatën se nuk janë në gjendje të dëgjojnë për të dytën herë detajet e ekspertizës mjekoligjore.
Në seancën e ardhshme gjyqësore të caktuar më 20 dhjetor, do të prezantohet edhe raporti i ekspertëve të balistikës.
Rasti “Monstra” ndodhet në gjykim të dytë në procedurë dëshmuese. Në gjykimin e parë për këtë rast gjashtë persona u dënuan me burg të përjetshëm por lënda u kthye në rigjykim. (Rexhep Qamili,TVM2)
