Fillon inspektimi i konvojit të ndihmave ruse
Autoritetet e Ukrainës kanë filluar ta inspektojnë kovojin rus, për të cilin Moska thotë se transporton ndihma humanitare......

Zyrtarët thonë se dhjetëra kufitarë ukrainas dhe doganierë kanë kaluar në pjesën e kufirit në Rusi, për ta kontrolluar konvojin, që përbëhet prej më tepër se 250 kamionësh.
Rusia thotë se kamionët bartin ujë, ushqim dhe ndihmë tjetër për popullin në pjesën lindore të Ukrainës, ku forcat e Qeverisë së Ukrainës po luftojnë kundër separatistëve pro-rusë. Por, zyrtarët perëndimorë kanë shprehur shqetësim se ky konvoj mund të jetë pretekst për inkursion ushtarak të Rusisë.
Dhjetëra automjete të blinduara ruse, sot i janë bashkuar konvojit humanitar në rajonin Rostov, që nuk është shumë larg kufirit.
Njëherësh, autoritetet në qytetin lindor Donjeck kanë deklaruar se 11 civilë ishin vrarë nga predhat gjatë 24 orëve të kaluara, përderisa ushtria tha se luftime të ashpra po ashtu janë zhvilluar afër qytetit Luhansk.
