Tiranë, studentët në ditën e shtatë të protestës, Rama i fton për dialog të drejtpërdrejtë
Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria kanë vijuar protestat në ditën e 7 të saj....

Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria kanë vijuar protestat në ditën e 7 të saj, duke kërkuar që t’u plotësohen 8 kërkesa, të cilat konsistojnë në përgjysmimin e tarifës së shkollimit, krijimin e kushteve më të mira për studim, si dhe në konvikte. Kryeministri, Edi Rama, i ka ftuar studentët sot për dialog të drejtpërdrejtë nëpërmjet rrjetit social Facebook, por ata e kanë refuzuar, duke kërkuar që Rama të shkojë te protesta dhe jo të flasë përmes internetit.
Rama tha se është i gatshëm t’u plotësojë studentëve disa kërkesa, duke thënë se është i gatshëm për të financuar në buxhetin e shtetit jo vetëm uljen me 50% të tarifave, por edhe arsimin falas për studentë ekselentë dhe të varfër. Ai Ofroi 1000 vende pune në administrata për studentët më të mirë.
Por studentët kanë qenë të prerë në përgjigjen e tyre se nuk do të ketë dialog, pasi kërkesat e tyre janë të panegociueshme.
Protesta e studentëve cilësohet si më e madhja e viteve të fundit dhe e para e papolitizuar, pasi të rinjtë kanë refuzuar praninë e çdo force politike. (Luljeta Ndoka, TVM2)
