Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, debate publike në Tetovë dhe Shtip
10.12.2018 17:11
Definimi i shqiptarëve në kushtetutë si përqindje është diskriminim, ashtu si edhe statusi juridiko-kushtetues...

Definimi i shqiptarëve në kushtetutë si përqindje është diskriminim, ashtu si edhe statusi juridiko-kushtetues, theksuan profesorë universitarë dhe përfaqësues partiakë në debatin publik mbi ndryshimet kushtetuese të organizuara në Tetovë.
“Nuk janë ndryshime të plota. Unë ndjehem i ofenduar si profesor, si qytetar, se përfaqësoj popullin që është 20% në kushtetutë. Si do të ndjehej zonja Shekerisnka nëse do t’i thosha se përfaqëson popullin 50% në RM”,- tha profesori universitar, Rufi Osmani.
“Shqiptarët nuk janë shtetformues me ndryshimet kushtetuese. E dyta, gjuha shqipe nuk është zyrtare si gjuhë por si përqindje, e treta, flamuri shqiptar nuk është në kushtetutë”,- u tha nga Lëvizja BESA.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerisnka, theksuan se qeveria ka mirëkuptim për kërkesat e tilla.
“Nuk ka interes më të madh puro etnik shqiptar se sa integrimi në NATO, dhe në listën e prioriteteve është NATO-ja, pastaj ka zbrazëtirë, pastaj vijnë çështjet tjera. Sa i takon çështjes së 20 përqindëshit, ai është prodhim i Marrëveshjes së Ohrit, është kompromisi për ndërprerjen e luftës së asaj kohe. Unë pajtohem me ata që thonë se 20 përqindëshi duhet të ndryshojë, po duhet dhe 20 përqindëshi duhet të quhet populli shqiptar në Maqedoni dhe kjo do ndodh në të ardhmen, por a duhet tani ta rrezikojmë anëtarësimin në NATO?”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
“Vullneti politik i Qeverisë në drejtim të të drejtave të etniteteve në lëmine e gjuhës, duket edhe nga Ligji për gjuhët. Aty nuk vendosëm formulimin sipas kushtetutës me përqindje, nuk ikëm, qëndron aty gjuha shqipe. Flas për një vullnet vërtetë të mirë dhe jo vetëm mbulesa”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
Ndërsa në debatin për ndryshimet kushtetuese në Shtip, kryeministri, Zoran Zaev, theksoi se Marrëveshja e Prespës vendi do ta ndryshojë emrin, por do ta ketë të garantuar identitetin dhe gjuhën maqedonase.
“Kërkesa jonë por edhe ndjenja është që Maqedonia duhet të jetë e mbrojtur nga krahët e NATO-s dhe të ketë të filluar bisedime për anëtarësim në BE, ashtu do të ketë më sigurt, por kjo është edhe më motivuese për atë se çka na pret në periudhën që vjen, e ajo është stabilitet afatgjatë, por edhe zhvillim ekonomik të vendit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës foli edhe profesori universitar, Gjorgji Spasov.
“Është shumë e qartë pse bëhet ky kompromis, për t’u bërë një hap i madh përpara dhe kjo bëhet nga një gjeneratë e re e politikanëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Greqi. Ky është një hap historik nga politikanë vizionarë, të cilët përmes kësaj marrëveshje i sjellin qetësi jo vetëm vendeve të tyre, por edhe rajonit në përgjithësi”,- u shpreh profesori universitar, Gjorgji Spasov.
Tani i mbetet Qeverisë edhe dy ditë për t’i analizuar propozimet të cilat i kanë parashtruar sektori civil dhe njohësit e mirë të çështjeve juridike, e më pas të njëjtat t’i inkorporojnë në ndryshimet finale të kushtetutës të cilat duhet të dërgohen në Kuvend për votim.
FITIM KRYEZIU
