Maqedoni
Rasti “Kumanova”, Raufi: të burgosurit gjenden në grevë urie; Burgu i Idrizovës, edhe të burgosurit tjerë hyjnë në grevë urie
10.12.2018 17:25
Të burgosurit në rastin e Kumanovës që vuajnë dënimin në burgun e Shutkës dhe të Idrizovës, kanë filluar grevën e urisë...

Avokati i disa prej të akuzuarve të këtij rasti, Naser Raufi, në një prononcim për TVM2 thekson se disa nga klientët e tij që gjenden në burgun e Idrizovës ka kohë që tashmë janë në grevë urie.
“Kontakti që bëra me burgun e Shkupit, konkretisht me të akuzuarin Shefqet Kllaqi, gati 1 javë ata tashmë janë në grevë urie ku kushtet dhe standardet janë shumë mizore. Sipas informacioneve të mia, gjenden në situatë jashtëzakonisht të keqe shëndetësore dhe u jepet infuzion. Sa i përket disa prej të akuzuarve prej 12 që unë i përfaqësoj, 3 prej tyre janë në burgun e Idriziovës, ku kushtet janë pak më të mira, por edhe ata janë në grevë urie. Ne kemi kontaktuar me institucionet, me Ombdusmanin, dhe presim që të ndërmerret diçka edhe prej Ombdusmanit, që të tejkalohet kjo situatë jashtëzakonisht e vështirë”,- tha avokati i të burgosurve në rastin “Kumanova”, Naser Raufi.
Në letrën e dërguar pak ditë më parë mediave, pjesëtarët e Grupit të Kumanovës për shkak të kushteve mizore dhe trajtimit çnjerëzor, kërkuan transferim urgjent në burgun e Idrizovës, hetim ndërkombëtar të rastit dhe përshpejtim të vendimit nga Gjykata e Apelit.
Sipas avokatit Raufi, arsyeja e mostransferimit në burgun e Idriziovës është mospasja e mundësive të sigurimit, gjë për të cilën fajin e hedh tek MPB, e cila duhet të japë arsye shtesë se për çfarë zvarritet transferimi.
“Arsyeja e mostransferimit në burgun e Idrizovës sipas gjykatëses është se kinse nuk paska mundësi sigurimi për t’i transferuar. Personat të cilët kanë vendime për t’i transferuar atje presin pothuajse 5 apo 6 muaj që kjo të realizohet. Obligim i MPB-së është të arsyetohet se kush janë arsyet për mostransferim, por mendoj që arsye nuk ka dhe për atë nuk shpjegohen”,- u shpreh avokati i të burgosurve në rastin “Kumanova”, Naser Raufi.
Ndërkohë edhe të burgosurit tjerë që vuajnë dënime në burgun e Idrizovës prej sot fillojnë grevën e urisë duke kërkuar të përfshihen në Ligjin për amnisti që është paralajmëruar për rastin “27 prilli”.
Ata përmes një letre e kanë njoftuar drejtorinë e burgut “Idrizovë”, duke thënë se do të jenë më rigorozë nëse Qeveria nuk përgjigjet në kërkesën e tyre për amnisti të përgjithshme.
TVM2 përmes telefonit kontaktoi edhe avokatin e popullit, Ixhet Memetin, i cili shkurt u përgjigj se akoma nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar që Grupi i Kumanovës është futur në grevë urie, ndërsa konfirmoi se në institucionin që ai drejton ka ardhur një shkresë zyrtare nga të burgosur tjerë nga burgu i Idrizovës, të cilët kërkojnë amnisti.
Në ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë mbetën të vrarë 10 pjesëtarë të Grupit të Armatosur dhe 8 pjesëtarë të policisë.
Kurse për rastin në fjalë u shqiptuan 746 vjet burg për 33 pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, 7 prej të cilëve me burg të përjetshëm.
ZEKIRIJA MEXHITI
