Maqedoni
Gjykimi për “Tortura”, prezantohen videot e mediave nga arrestimi i Boshkovskit
11.12.2018 17:14
Me prezantimin e video incizimeve të shtëpive televizive ka vazhduar gjykimi për rastin “Tortura” të PSP-së...

Me prezantimin e video incizimeve të shtëpive televizive ka vazhduar gjykimi për rastin “Tortura” të PSP-së, që ka të bëjë me arrestimin e dhunshëm të Ljube Boshkovskit në vitin 2011.
Në incizimin e parë të transmetuar në gjykatë nga Televizioni i Maqedonisë është parë arrestimi i Boshkovskit me pranga në duar dhe me shoqërim të madh policor i kthyer me kokën drejt toaleteve përgjatë trotuarit, kontrollimi i automjetit të tij në vendin ku është arrestuar, ndërsa në disa të tjerë edhe momenti kur ai qëndron i shtrirë në tokë.
Me kërkesë të avokatëve të Mijallkovit u prezantuan edhe disa video tjera televizive të cilat nuk janë të lidhura me çështjen e Boshkovskit e që ishin vazhdim i provave që prezantoheshin në gjykatë.
Kështu që Mijallkov, përveç se rikujtoi se si ka rrjedhë aksioni për arrestimin e liderit të atëhershëm të partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, ai pa edhe një lajm në lidhje me kushtet e këqija të burgjeve, por edhe paralajmërimet për rinovim në “Idrizovë” dhe “Shutkë”, ku tashmë 20 ditë qëndron Mijallkov.
Në rastin “Tortura” të akuzuar janë ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish njeriu i parë i njësisë “Alfa”, Ivica Antevski – Puki, edhe pesë pjesëtarë të kësaj njësie.
REXHEP QAMILI
