Maqedoni
Policia financiare, paditen ministri Fazliu dhe ish ministri Shabani
11.12.2018 17:22
Policia financiare ka ngritur padi penale te Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar....

Policia financiare ka ngritur padi penale te Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kundër ministrit aktual të Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliut, dhe ish ministrit, Lirim Shabanit, për pagesën joligjore të honorarëve. Padi penale është lëshuar edhe ndaj M. M. P. si këshilltar shtetëror për integrime evropiane në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe B. R., si përgjegjës për zbatimin e programit operacional të IPA fondeve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Policia financiare pretendon se L. Sh. dhe S. F. kanë nënshkruar dhe kanë paguar katër kontrata për shërbime konsultative mes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe personave M. M. P. dhe B. R., të cilët kanë qenë të punësuar në këtë ministri, me angazhimin e tyre nga ShPK “Agjencia për Rini”, që në mënyrë të jashtëligjshme kanë marrë rreth 2.2 milion denarë, apo 35.571 euro, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit. Por, ministri Fazliu ka mohuar të jetë i përfshirë në keqpërdorim.
“Akuza e bërë publike nga mediumet në emër të policisë financiare i takon kohës dhe mandatit që me këtë ministri ka udhëhequr dikush tjetër. Në kohën time, përpara një viti, ky rast është mbyllur. Kam urdhëruar të punësuarit dhe të akuzuarit në fjalë që t’i kthejnë mjetet, dhe mjetet janë kthyer. Bërja publike e këtij rasti pikërisht në këto momente dhe tendenca që me çdo kusht të njolloset emri dhe personaliteti im në emër të policisë financiare është adresa e gabuar. Apeloj deri tek të gjitha institucionet relevante në shtet edhe tek Policia financiare që seriozisht të merren me hulumtimin, zbardhjen dhe dokumentimin e keqpërdorimeve, korrupsionit në të gjitha segmentet e shtetit, pa kursyer asnjë individ apo grup të organizuar kriminel.”,- thuhet në reagimin e ministrit të pushtetit lokal, Suhejl Fazliut.
Edhe partia e tij, Rilindja Demokratike Kombëtare, vlerësoi se Policia financiare ka gabuar adresën e padisë të cilën e quajti qesharake. Po ashtu ka reaguar edhe ish ministri Shabani.
“Shuma e parave që përmendet në hetimin e Policisë financiare nuk ka të bëjë me mua apo me shfrytëzimin e paargumentuar të tyre nga ana ime gjatë funksionit si ministër, por nga punonjës dhe përgjegjës të departamentit të menaxhimit të fondeve IPA. Po ashtu, në mënyrë shtesë, mund të konstatoj se këta punonjës, pas revizionit, e kanë kthyer shumën e parave në rrugë ligjore, veprim ky i cili rrëzon çdo pretendim për shpërdorim të mundshëm të buxhetit të ministrisë apo buxhetit të shtetit në përgjithësi”,- theksoi ish ministri, Lirim Shabani.
Policia financiare ka ngritur padi edhe kundër ish-ministrave të arsimit, Nikolla Todorov dhe Pançe Kralev, si dhe kundër I. E. - ish këshilltar për investime kapitale në Ministrinë e Arsimit, dhe N. H. – udhëheqës i autorizuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit, me çka e kanë dëmtuar buxhetin me rreth 80.000 euro.
GYLTENE SINANI
