Maqedoni

Shpenzimet e një studenti për një muaj, sa një pagë mujore

11.12.2018 17:38

Hulumtimet nga Fondacioni “Shoqëri e Hapur - Maqedoni” tregojnë se një student për një muaj harxhon mbi 22 mijë denarë...

Hulumtimet nga Fondacioni “Shoqëri e Hapur - Maqedoni” tregojnë se një student për një muaj harxhon mbi 22 mijë denarë, gjegjësisht sa një pagë mujore.
 
Studentët më së shumti harxhojnë për ushqim, banim, cigare, alkool dhe prodhime mjekësore. Studentët për TVM2 thonë se për harxhimet studentore kanë mbështetjen e familjes. 
 
“Harxhimet përafërsisht brenda ditës 500 denarë, për transport, ushqim ose ndonjë libër për ta fotokopjuar, ka harxhime. Më ndihmon familja, por gjithashtu edhe pak punoj vet”,- u shpreh një student. 
 
“Ka raste kut bëjmë fotokopje por edhe kemi blerë libra, ku më i liri mund të kushtojë 1000 den.. Kemi nevojë prej 200 euro deri më 300 euro në muaj”,- tha një student.  
 
“Unë personalisht nuk punoj, gjithçka me mundëson familja”,- theksoi një student. 
 
Për t’u zbutur sadopak shpenzimet e studentëve, nga Shoqata e Analistëve të Rinj dhe Forumi Arsimor Rinor kërkojnë nga qeveria aplikimin e karteleve studentore edhe për ushqim dhe shërbimeve tjera.
 
“Më së shumti si burim i mjeteve financiare i kanë prindërit dhe familjarët e tyre, që është një shifër e madhe e studentëve, ose 61.5%. Pastaj janë bursat studentore me 11.9% dhe 8% e studentëve që mjetet financiare i sigurojnë vetë”,- tha Viktor Stojkovski nga Shoqata e Analistëve të Rinj.
 
“Duhet të aplikohet kjo kartelë studentore që do t’i ulë shpenzimet e studentëve jo vetëm për transport, por edhe për ushqyerje për shërbimet e tjera që do të mund të përfitojnë studentët”,- u shpreh  Martina Ilievska nga Forumi Arsimor Rinor.
 
Hulumtimi është realizuar me 945 studentë në 5 universitetet shtetërore, nga i cili është konstatuar se harxhime më së shumti kanë  studentët që studiojnë në një qyet tjetër dhe jetojnë aty gjatë studimeve. 
 
REJHANE BUSHI METAJ