Maqedoni

VMRO akuza pushtetit, Stoillkovski: të dorëhiqen Dimitrov dhe Spasovski

11.12.2018 17:55

VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrovit, dhe të rendit, Oliver Spasovskit...

VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrovit, dhe të rendit, Oliver Spasovskit, për t’i dhënë fund së keqes që ka kapluar Maqedoninë në kurriz të qytetarëve.
 
Zëdhënësi i partisë, Naum Stoillkovski, ftoi qytetarët në protesta të mërkurën për rrëzimin e pushtetit.
 
“Kjo qeveri e imponuar nuk po zhvillon betejë për të mirën e qytetarëve, por nënçmimin e popullit, zhvillon betejë me opozitën, rënie ekonomike të shtetit dhe qytetarëve nëpërmjet tatimeve të larta si dhe keqpërdorimin e referendumit. Bashkëngjituni protestës së nesërme por edhe çdo proteste që do të mbahet çdo të mërkurë në orën, 17 që sa më shpejtë të rrëzojmë LSDM-në, Zoran Zaevin, por edhe politikat e errëta të imponuara nga kjo qeveri e errët”- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Përderisa nga LSDM nuk reaguan ndaj këtyre akuzave, VMRO-DPMNE ripërsëriti kërkesat për ulje të tatimeve, të respektohet rezultati i referendumit, të formohet trup i pavarur që do të merrej me përgjimin e prokurorëve dhe gjykatësve, si dhe të vazhdojë projekti i gazifikimit për ajër më të pastër.
 
MERAL ISMAILI