Maqedoni

Reformat në gjyqësi, Deskoska: Gati ligji për gjykatat dhe KGJ-në

11.12.2018 17:53

Ministria e Drejtësisë ka harmonizuar Ligjin për gjykatat dhe atë për Këshillin Gjyqësor me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ato të KE-së dhe Raportin e Pribesë....

Kryesisht bëhet fjalë për ndryshime ligjore që rregullojnë procedurat disiplinore. Nuk parashihet të ndodh rizgjedhje gjykatësish, pasi siç tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, qëllimi i ndryshimeve është për të treguar vullnet politik për harmonizimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe zbatimin e tyre.   
 
“Ndryshimet kyçe në Ligjin për gjykatat janë për procedurat disiplinore, kushtet për përgjegjësi disiplinore. Praktikisht, Komisioni i Venecia disa herë që nga 2015 ka dhënë rekomandime për precizimin e këtyre bazave për përgjegjësi disiplinore, me qëllim që t’u mundësohet pavarësi gjykatësve, por edhe përgjegjësi për punën e tyre profesionale”,- tha ministri i drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Shoqata e gjykatësve vlerëson se rekomandimet e tyre janë përfshirë pjesërisht, ndërsa disa nga këto propozim-ndryshime janë në kundërshtim me kërkesat e tyre.
 
“Është një bazë e mirë për avancimin e pavarësisë së gjyqësorit, por mbetet që të shihet se si do të vazhdohet më tej. Unë vlerësoj se përveç krijimit të kushteve për pavarësi në gjyqësor nevojiten edhe kushte të tjera që kanë të bëjnë me pavarësinë financiare, me krijimin e kushteve optimale për funksionim”,- theksoi Xhemali Saiti nga Shoqata e Gjykatësve.
 
Edhe studimi i Institutit për Politikë Evropiane ka rezultuar se gjykatësit kanë pritshmëri më të larta si në cilësinë e gjyqësisë po ashtu edhe në kushtet për avancimin e gjykatësve.
 
“Pjesa më e madhe që tani janë në ENER, në Ligjin për Gjykatat i plotësojnë rekomandimet e trupave ndërkombëtarë përfshirë edhe Komisionin e Venecias dhe pjesërisht rekomandimet e Pribesë, megjithatë sërish shohim pritshmëri të mëdha nga gjykatësit sa u takon viteve të nevojshme për avancimin e tyre dhe përmirësimin e cilësisë së gjyqësorit”,- tha drejtoresha e IPE-së, Simonida Kacarska.
 
Sa i takon idesë për një Ligj për amnisti, për ndodhitë e 27 prillit në Kuvendin republikan, Deskoska sqaroi se ai nuk hartohet në Ministrinë e Drejtësisë, por në kuadër të Trupit për Pajtim në Kuvend.
 
Ndërkaq, ekstradimi i ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, pritet të ndodh nëse autoritetet hungareze respektojnë standardet evropiane dhe konventën evropiane për riatdhesim.  
 
SHPËTIM NUREDINI