Botë

Strasburg, 3 të vdekur dhe 13 të plagosur, autori arratiset

12.12.2018 09:25

Qindra oficerë policie janë vënë në ndjekje të agresorit të armatosur që vrau 3 persona...

Qindra oficerë policie janë vënë në ndjekje të agresorit të armatosur që vrau 3 persona dhe plagosi 13 të tjerë, pas një serie të shtënash në qytetin lindor të Francës, Strasburg, mbrëmjen e së martës. I dyshuari Cherif C., një francez me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili ka qenë i skeduar nga shërbimet e sigurisë, arriti të arratiset pas shkëmbimit të zjarrit me ushtarë dhe policë të armatosur, por besohet se ka mbetur edhe ai i plagosur.
 
Të shtënat ndodhën shumë pranë një tregu tejet të populluar Krishtlindjeje, pranë njërit prej shesheve qendrore të qytetit. Ndërkohë, një prokuror anti-terror ka hapur një hetim mbi këtë ngjarje, që duket sikur riktheu makthin e terrorizmit në Francë. Raportimet e para të së mërkurës flasin për një operacion policor që po zhvillohet përreth zonës së katedrales së qytetit, motivi i të cilit mbetet gjithsesi i pasqaruar.
 
Tetë prej të plagosurve të së martës thuhet se janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa 5 të tjerë pësuan lëndime të lehta. Policia tha në raportin e saj se i dyshuari 29-vjeçar është lindur në Strasburg dhe ka qenë i njohur edhe më herët nga shërbimet e sigurisë, duke u klasifikuar si kërcënim potencial terrorist.