Botë
Shqipëri, vazhdon protesta, studentët nuk zbrapsen nga kërkesat e tyre
12.12.2018 12:42
Protesta e studentëve në Shqipëri nuk është ndaluar as gjatë natës....
Një grup i vogël ka kaluar mbrëmjen e së martës para kryeministrisë. Qytetarët janë solidarizuar duke sjellë ushqime dhe fruta për studentët, të cilët kanë protestuar në të ftohtë duke mbajtur flamurin shqiptar.
Para Kryeministrisë kanë qëndruar edhe disa efektivë policie. Ndërkohë, për sot kanë thirrur një protestë ndryshe nga gjithë këto ditët e fundit, të heshtur e vetëm me libra dhe fletë të bardha, pa parulla dhe as thirrje në kor. E pas përçarjes së një dite më parë, me grupe të ndryshme studentësh që mbetën përpara Ministrisë së Arsimit, të tjerë që shkuan përpara Kryeministrisë, ndërsa një grup i tretë bllokoi trafikun e automjeteve në rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”, studentët kanë vendosur që përmes një sondazhi “online” të vendosin vendin ku do të pozicionohen.
Shumica e votave shkuan në favor të qëndrimit përpara Ministrisë së Arsimit, duke plotësuar kështu argumentin e atyre që thoshin një ditë më parë se, “përderisa kauza jonë është tërësisht mbi arsimin, nuk kemi përse të shkojmë para Kryeministrisë, apo të bllokojmë rrugët”. Një ditë më parë skadoi afati i vendosur nga studentët për plotësimin e kërkesave nga qeveria.
