Maqedoni

Komuna e Çairit, Ganiu raporton për punën njëvjeçare. Këshilltarët e ASh-së, kritika për punën e kryetarit të Çairit

12.12.2018 14:39

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka dhënë raport për punën e tij njëvjeçare në krye të komunës...

Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka dhënë raport për punën e tij njëvjeçare në krye të komunës, duke veçuar disa nga projektet e realizuara deri më tani, siç janë: asfaltimi i 2500 m2 rrugë, riparimi i trotuareve me asfalt në gjatësi prej 800 m2, rregullimi i trotuareve me bekaton në hapësirë prej 2500 m2, fitimi i grandit nga Banka Botërore për rekonstruimin e kalldërmës së Çarshisë së Vjetër dhe zhvillimin e turizmit dhe projekte tjera. 
 
“Aplikuam për kredi në Bankën Botërore me projektin për panele solare, për shkollat fillore dhe kopshteve për fëmijë, filluam projektin për efikasitet energjetik për banesat kolektive, projektin për ndërtimin e rrethrrotullimeve në disa udhëkryqe, krijuam parqe të reja në lagjen Fushë Topanë dhe Çair të Vjetër, vendosëm pajisje urbane në parqet e reja, projektin për tribunën e re të stadiumit të K. F. “Shkupi”, përkrahëm suksesin e sportistëve, krijuam 2 fitnes zona në hapësira të hapura, krijuam korsi të re për biçikleta, ndihmuam dhe bashkëpunuam në realizimin e projekteve të organizatave joqeveritare, është bërë mirëmbajtja e rregullt e ndriçimit publik, është realizuar krasitja e degëve të drunjve, angazhimi i inspektoratit komunal për largimin e shitësve jolegalë, rregulluam bulevardin në zonën e Bit Pazarit me vendosjen e një taksi stacioni të ri”,- u tha nga komuna e Çairit.                                              
 
Por, këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët janë shprehur kritikë në punën e kryetarit të Çairit, Visar Ganiut.     
                                                                                                
““Rajko Zhinzifov” nuk u bë “Ismail Qemajli” dhe “Nikolla Vapçarov” nuk u bë “Imri Elezi”. Vazhdon mungesa e sallave sportive nëpër shkolla fillore si te “Kongresi i Manastirit” tashmë 10 vite dhe “Jashar Bej Shkupit” që nga themelimi i saj. Mungojnë kushtet elementare, siç janë pastërtia, mirëmbajtja e sanitarisë në të gjitha shkollat e komunës. Po ashtu është premtuar efikasitet energjetik, rikonstruim i fasadave, premtuan rrugica për kalim të sigurt të fëmijëve, fusha të lojërave me rekuizita, meremetim i rrethojave e premtime të tjera që u avulluan”, - deklaroi këshilltari i ASh-Çair, Fatih Qaili.         
                                                                                 
Nga komuna e Çairit edhe për vitin 2019 parashohin ndërtimin e kopshtit të ri për fëmijë "Bambi", ndërtimin e pishinës shkollore, rekonstruimin e palestrës sportive "Partizan", ndërtimin e bibliotekës komunale, ndërtimin e leximores së re, ndërtim i garazheve në kate, rregullimin e komunikacionit njëkahësh, ndërtimin e rrethrrotullimeve të reja dhe projekte tjera infrastrukturore.  
 
FITIM KRYEZIU