Maqedoni

Cipras: Nëse Shkupi nuk i përmbahet, Marrëveshja e Prespës do të anulohet

12.12.2018 15:03

Marrëveshja e Prespës do të anulohet nëse Shkupi nuk i përmbahet të njëjtës, deklaron kryeministri grek, Aleksis Cipras....

Ai këto komente i bëri gjatë përplasjen në Parlamentin grek me liderin e opozitës, Krijakos Micotakis, pasi lideri i demokracisë së re deklaroi se kryeministri Zaev po e feston dhe promovon marrëveshjen, sepse ka fituar atë që asnjë kryeministër grek në 26 vitet e kaluara nuk e ka dhënë, gjuhën dhe kombësinë maqedonase.
 
“Disa herë e kam theksuar, ndërsa është qartësuar edhe nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë se Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë duhet patjetër ta respektojë frymën dhe tekstin e Marrëveshjes së Prespës, si me amendamentet kushtetuese që po diskutohen këto ditë, sepse bëhet fjalë për ndryshimin e përhershëm të Kushtetutës ashtu siç definohen nga Marrëveshja e Prespës, po ashtu edhe me deklaratat e funksionarëve të saj. Nëse kjo nuk ndodhë, iu treguam edhe atyre por e thamë edhe publikisht, se nuk do të shkojë përpara as marrëveshja e as integrimi i vendit fqinj në organizatat ndërkombëtare”,- tha kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
 
Duke e vlerësuar Marrëveshjen e Prespës si të dëmshme për interesat e shtetit grek, Micotakis kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, që populli të vendosë për këtë marrëveshje.
 
“Kini kujdes z. Cipras! Kini kujdes sepse shoqërinë greke e keni vendosur kundër jush. Por, nëse vërtetë dëshironi që populli grek të dalë me qëndrim për këtë çështje, ekziston vetëm një mënyrë: shpallni zgjedhje para se ta sillni marrëveshjen për ratifikim në Kuvend. Dhe do ta merrni përgjigjen përfundimtare nga populli grek”,- theksoi kryetari i Demokracisë së re në Greqi, Krijakos Micotakis. 
 
Por, pa marrë parasysh përplasjet mes pushtetit dhe opozitës, zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, vlerëson se në Kuvendin e Greqisë ekziston shumicë e gjerë për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Në një intervistë për radion greke “Real FM”, Xanakopulos ka vlerësuar se: “kryeministri Zaev po udhëheq luftë në klimë të rënduar nga nacionalizmi, madje edhe perceptimet shoviniste që kanë sunduar në vitet e kaluara në shtetin fqinj”. 
 
Zëdhënësi i qeverisë greke njëherit thotë se nuk duhet lejuar që dyshimet dhe reagimet nacionaliste të çojnë deri në humbjen e mundësisë historike, diplomatike dhe politike për zgjidhjen e një çështje që i mundon dy vendet por edhe gjithë Ballkanin pothuajse për 30 vite.
 
GYLTENE SINANI