Maqedoni

Gjykimi për rastin “Tamara”, rikonstruimi i tentim-vrasjes së Todorovit

12.12.2018 16:33

I akuzuari për tentim vrasjen e ish ministrit të shëndetësisë, Nikolla Todorov, gjyshi i Tamarës së ndjerë, Ljupço Stojanovski, dhe ish ministri Todorov...

I akuzuari për tentim vrasjen e ish ministrit të shëndetësisë, Nikolla Todorov, gjyshi i Tamarës së ndjerë, Ljupço Stojanovski, dhe ish ministri Todorov, dolën me dy versione të ndryshme për atë se si rrodhi ngjarja.
 
Për shkak të kësaj, Gjykata e Apelit vlerësoi se duhet bërë një rekonstruim i ri i ngjarjes për tentim-vrasjen e ish ministrit Todorov, në hyrje të kësaj ministrie.                                                                                            
“Todorov ishte këtu, ndërsa unë isha aty. E kisha për qëllim të gjuaj drejt murit të kësaj godine, mirëpo sigurimi i Todorovit më goditi në duar dhe për një moment unë u gjeta në tokë dhe nuk e di në cilin drejtim ka shkuar plumbi”,- tha gjyshi i Tamara Dimovskës, Ljupço Stojanovski.
 
“Atë ditë kur mbërrina para Ministrisë së Shëndetësisë i akuzuari në njërën dorë mbante cigaren, ndërsa tjetrën e kishte në xhep. Në një moment ai e nxori dorën jashtë e drejtoi armën dhe gjuajti në drejtim nga unë”,- u shpreh ish ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov. 
 
Për këtë ngjarje nuk ka video xhirime edhe pse para Ministrisë së Shëndetësisë qëndron një kamerë. Rekonstruimi i ngjarjes për tentim-vrasjen e  Todorovit duhet të zbërthejë të vërtetën, thonë avokatët.             
                                              
“Po bëjmë rekonstruimin e ngjarjes që ekspertët e MPB-së të mund të përgatisin ekspertizë të jashtme balistike për këtë ngjarje. Me këtë duhet të vërtetohet cili prej versioneve nga të dyja palët është i vërtetë”,- tha avokatja e gjyshit të Tamarës, Pavllina Zefiq.       
                 
Prokurorja Publike, Natasha Gaxhovska, ka prezantuar dokumente të shumta mjekësore, vërtetime, rezultate dhe rekomandime për gjendjen e rënduar shëndetësore dhe nevojën për të bërë ndërhyrje urgjente tek Tamara.
 
Gaxhovska në gjykatë lexoi edhe udhëzimin e ish ministrit të shëndetësisë, Nikolla Todorov, i dërguar deri tek Fondi Shëndetësor dhe Klinika “TORACIL”, në të cilin nuk qëndronte askund titulli “urgjent” për mjekimin e Tamarës jashtë shtetit.
 
Prokuroria Themelore Publike për rastin e Tamarës akuzon gjithsej 12 persona për veprën penale “Punë të papërgjegjshme në shërbim”. 
 
REXHEPI QAMILI