Maqedoni

Rasti “Titanik”, mbaron leximi i porosive, mbrojtja konteston

12.12.2018 16:48

Me leximin e SMS porosive mes ish ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakevski, dhe personit me iniciale N. N....

Me leximin e SMS porosive mes ish ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakevski, dhe personit me iniciale N. N., ka vazhduar gjykimi për parregullsitë zgjedhore në lëndën “Titanik”.
 
Në porositë e vitit 2011 dhe 2013, Janakievski jep udhëzime për votues dhe lista, por edhe për vërejtje se dikush i ka zbuluar letërnjoftimet e falsifikuara të personave nga Pusteci.
 
Në porositë e publikuara shkruhet për lista të votuese të cilët kanë votuar për LSDM-në, për të cilët kërkohet të pengohen që të dalin në votime pasi janë punësuar nga VMRO.
 
Përmes SMS porosive kuptohet se votuesit i kanë stimuluar të votojnë përmes korrupsionit.
 
“U jap para personave të qerasin në kafiteri, plus jap nga 1000 denarë për votë”,- thuhet në njërin nga SMS-et e shkëmbyera mes dy të lartpërmendurve.
 
Mbrojtja e të akuzuarve në seancën e sotme dorëzoi parashtresa deri tek gjykata për materialet që i prezantoi PSP në seancat e deritanishme, përfshirë këtu edhe bisedat telefonike dhe SMS porositë.
 
Sipas avokatit mbrojtës, Boro Tasevskit, vihet në pikëpyetje autenticiteti i SMS porosive, duke pasur parasysh se kanë kaluar disa vite prej kur datojnë bisedat dhe të akuzuarit nuk mund të kujtohen në to për të vërtetuar nëse janë të vërteta.
 
Si njëra nga arsyet e parashtresës është edhe numri i madh i personave në duar të të cilëve kanë kaluar materialet e përgjimit para se të dorëzohen në PSP.
 
Avokati, Elenko Millanov, theksoi se mbrojtja ka angazhuar këshilltarë teknikë të cilët do të dorëzojnë ekspertizë të bisedave dhe SMS porosive të cilat i prezantoi PSP gjatë fazës së dëshmive.
 
Ndërkohë, avokati, Dimitar Dangov, i cili në fillim të seancës tërhoqi autorizimin për mbrojtje të të akuzuarit, Nikolla Gruevski, tha se sipas Komisioni të Venecian, bisedat dhe SMS porositë nuk duhet aspak të merren parasysh si dëshmi. 
 
Në seancën e sotme prokuroria mbaroi me prezantimin e audio dhe SMS porosive mes të akuzuarve. Në seancën e radhës gjykimi do të vazhdojë me prezantimin e dëshmive tjera materiale.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI