Maqedoni
Gjykata Kushtetuese nuk deklarohet për ndryshimet kushtetuese. Petrov, apel deputetëve: mos votoni për ndryshimet kushtetuese!
12.12.2018 17:09
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë dy iniciativat e parashtruara nga Kongresi Botëror Maqedonas dhe avokati, Tome Todorovski...

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë dy iniciativat e parashtruara nga Kongresi Botëror Maqedonas dhe avokati, Tome Todorovski, për vlerësimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të kuvendit për ndryshimet kushtetuese, që dalin si obligim nga Marrëveshja e Prespës.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i kuvendit nuk paraqet akt të përgjithshëm juridik sipas nenit 110 të kushtetutës, andaj Gjykata nuk është kompetente të vendos për vlerësimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë.
Ky vendim ishte i pritur, tha kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov, i cili i ftoi deputetët të mos votojnë për ndryshimet kushtetuese.
“Është për të ardhur keq që gjykatësit legjitimojnë marrëveshje ndërkombëtare e cila nuk është ratifikuar në pajtueshmëri me kushtetutën dhe nuk është pjesë e rendit juridik të Maqedonisë. Apelojmë deri te deputetët të mos e miratojnë amendamentin për ndryshimin e emrit dhe kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gjithashtu mendojmë edhe për opsionin referendum i obligueshëm me propozim të 150 mijë qytetarëve”,- tha kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov.
Sipas Kongresit Botëror Maqedonas, me vendimin për ndryshimin e kushtetutës është evidente thyerja flagrante e kushtetutës dhe ligjeve në Maqedoni dhe shkelja e së drejtës ndërkombëtare.
FLUTURA LATIFI
