EVN dhe ELEM, të vetmit konkurrues

12.12.2018 19:49

Sot në Qeveri, si konkurrues të vetëm për furnizim universal me energji elektrike....

Sot në Qeveri, si konkurrues të vetëm për furnizim universal me energji elektrike, ishin EVN dhe ELEM Trejd. EVN ofroi një marzh bruto prej 14.4 për qind, ndërsa ELEM Trejd ofroi një marzh bruto prej 14.9 për qind. Sipas akademikut, Gligor Kancevski, të dy kompanitë kanë përmbushur kushtet e nevojshme, garancinë e nevojshme bankare dhe diferencën e përcaktuar për të mbuluar kostot e tyre.

“EVN Maqedonia ofroi një diferencë prej 14.4% dhe Elem Trejd 14.9%. Pas hapjes së ofertave, bëhet një vlerësim për të përcaktuar aftësitë e nevojshme ekonomike dhe teknike për një periudhë prej 86 ditësh. Në fund do të ketë një ankand elektronik ku vendimi për zgjedhjen e furnizuesit universal për familjet do të jetë shuma e diferencës”,- tha Gligor Kanevce, akademik – AshAM.

“Duhet të dihet se edhe furnizuesit ekzistues të energjisë elektrike në tregun e lirë, askush deri më tani nuk kishte përvojën e furnizimit të një numri të madh të konsumatorëve. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi dy oferta, për të cilat për mua është një rezultat i shkëlqyer”,- u shpreh kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimovski.

Fillimisht, afati për aplikimin për këtë njoftim publik ishte 3 dhjetor, por ishte zgjatur me kërkesë të Komunitetit të Energjisë deri më 12 dhjetor të këtij viti. Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator të Energjisë, tetë furnizues munden të konkurrojnë si furnizues për energji elektrike që në mënyrë aktive shesin energji elektrike për konsumatorët.

Furnizuesi universal do të jetë i detyruar t’i shërbejë çdo përdoruesi i cili nuk do të dalë në tregun e lirë dhe do të blejë energji elektrike sipas zgjedhjes së tij, sepse me liberalizimin, çdo familje do të jetë në gjendje të zgjedhë nga cila kompani do të blejë energji elektrike për nevojat e saj dhe nëse nuk bën zgjedhje, atëherë rryma do të furnizohet nga furnizuesi universal. (Sedat Selimi, TVM2)