Tiranë, studentët vazhdojnë protestën

12.12.2018 20:04

Vijon intensive protesta e studentëve në ditën e 9 të saj....

Vijon intensive protesta e studentëve në ditën e 9 të saj. Protestuesit kërkojnë përgjysmim tarifash, kushte më të mira në konvikte, mbështetje për studentët ekselentë si dhe një sërë lehtësish të tjera. Pavarësisht se kryeministri, Edi Rama, u ka ofruar zgjidhje, ata nuk pranojnë të ulen në dialog, duke kërkuar që kreu i qeverisë të nxjerrë vendime zyrtare për kërkesat e tyre.

Madje, kryeministri, Edi Rama, mësohet se ka ngritur një grup pune për plotësimin e kërkesave të studentëve, me një kusht të vetëm: uljen në dialog. Në një status në rrjetin social Twiter, Rama shkruan:

“Një vajzë sapo tha s'duam të lutemi (në fakt lutem unë) po duam të na plotësohen 8 pikat pa dialog! D.m.th. s'duam të bisedojmë për kërkesat tona, po duam të bërtasim deri në plotësimin e tyre! Në cilën familje ecën kjo logjikë? Në familjen tonë të madhe jo njëherë, prandaj dialog”.

Ndërkohë, analisti, Aleksandër Çipa, në një prononcim për TVM2 e sheh atë që po bëjnë studentët jo si një protestë, por revoltë, duke e krahasuar me atë të dhjetorit 1990. Çipa thotë se kjo revoltë mund të çojë edhe deri në rrëzim të qeverisë.

Ndërkohë që prej ditës së djeshme, studentët janë shfaqur të përçarë në protestën e tyre, duke protestuar një pjesë para Kryeministrisë, një pjesë para Ministrisë së Arsimit dhe një pjesë tjetër në hyrje të Tiranës. (Luljeta Ndoka, TVM2)