Prishtinë, sheshet mbushen me flamuj amerikanë

12.12.2018 20:33

Në pritje të 14 dhjetorit, kur pritet që Kuvendi i Kosovës të sjellë vendimin për Ushtrinë e Kosovës...

Në pritje të 14 dhjetorit, kur pritet që Kuvendi i Kosovës të sjellë vendimin për Ushtrinë e Kosovës, sheshet kryesore të Prishtinës janë mbushur me flamuj amerikanë në shenjë falënderimi për mbështetjen amerikane pro themelimit të ushtrisë.

Seanca kuvendore është caktuar për të premten në orën 10, kur pritet të votohet pro transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Dy ditë para seancës komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, Xhejms Fogo, ka deklaruar se transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës.

“Ne jemi të përgatitur për cilindo vendim që do e sjellin nga ana e Parlamentit në këtë javë. Ne jemi atje për të garantuar sigurinë e shtetit të Kosovës”,- tha Foggo. Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër kundër paralajmërimit për themelimin e ushtrisë së Kosovës, por pas mbështetjes amerikane kryeministri serb Vuçiq ka ulur tonet, duke theksuar se nuk e ka ndërmend të sulmojë Kosovën meqë nuk dëshiron luftë me ShBA-të.