Nimic: Marrëveshja e Prespës, e rëndësishme për rajonin

13.12.2018 12:04

Jemi të gatshëm që të jemi në ndihmë në procesin e realizimit të Marrëveshjes së Prespës....

“Jemi të gatshëm që të jemi në ndihmë në procesin e realizimit të Marrëveshjes së Prespës”,- ka deklaruar ndërmjetësi i çështjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, pas takimit me zëvendësministrin për punë të jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugallos.

“Marrëveshja e Prespës është hap mjaft i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit dhe për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë. Si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara jemi të gatshëm të jemi në ndihmë, ashtu siç do të zhvillohet procesi”,- tha Nimic.

Megjithëse ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me palën maqedonase dhe greke, ndërmjetësi Nimic ka refuzuar të komentojë për zhvillimet e fundit politike ndërmjet këtyre dy shteteve.

Realizimi i Marrëveshjes së Prespës është në fazën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat përfshijnë miratimin e katër draft – amendamenteve të cilat sot Qeveria e Maqedonisë i dorëzoi në Kuvendin e Maqedonisë për votimin e dytë, që duhet të ndodh më 15 janar të 2019-s.