Ish-avokati i Trumpit, drejt një burgu që “do t’i kthejë lirinë”
Michael Cohen tha në gjyq se, ka jetuar në një burg personal....

Michael Cohen tha në gjyq se, ka jetuar në një burg personal e mendor në kohën kur punonte për Donald Trumpin, dhe se dënimi me 3 vite heqje lirie, në mënyrë ironike do t’i kthejë praktikisht lirinë.
Kjo, sipas CNN-it, deri diku mund të jetë e vërtetë, për faktin e thjeshtë se ish-avokati i presidentit do të mbyllet në një burg të sigurisë minimale, jo shumë larg Nju Jorkut.
Institucioni në fjalë, “FCI Otisville”, është parë shpeshherë si burgu i preferuar për të ashtuquajturit shkelës “me jaka të bardha”.
Në vitin 2009, “Forbes” e vendosi në listën e 10 burgjeve më të rehatshme në Amerikë. Cohen, që dikur deklaronte se ishte gati të bënte gjithçka për presidentin Trump, u dënua të mërkurën me 36 muaj burgim nga një gjykatë në Uashington.
Prokurorët kishin kërkuar që dënimi të ishte 4 deri në 5 vite burg, për krime të lidhura me financat e fushatës, sidomos pagesat prej mijëra dollarësh për dy gra, që thonë se kanë pasur marrëdhënie me Trumpin.
Dokumentet e gjykatës tregojnë se dënimi i tij mund të ketë të bëjë edhe me gënjeshtra ndaj Kongresit, si dhe mashtrime bankare dhe me taksat, lidhur me aktivitetin e tij personal./Top Channel
