Maqedoni

Nimic: Procesi politik në Shkup e Athinë po përparon

13.12.2018 15:38

Marrëveshja e Prespës është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë....

Marrëveshja e Prespës është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe për stabilitetin e rajonit, tha ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimic, pas takimit të tij me ministrin alternativ grek, Jorgos Katrugallos, në Nju Jork.
 
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se muajt e kaluar vazhdimisht ka qenë në kontakt me të dyja palët, por nuk ka dashur të komentojë rrjedhën e procesit politik as në Maqedoni e as në Greqi. Nimic ka shprehur gatishmërinë e Kombeve të Bashkuara për të dhënë kontributin e tyre nëse palët eventualisht kërkojnë ndihmë. 
 
“U dakorduam se ky është një hap i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit  si dhe për raportet mes dy vendeve. Procesi politik në të dyja vendet po përparon dhe kjo vërehet. Unë si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara mbetem në dispozicion për t’ju ndihmuar. Nëse të dyja palët kanë nevojë për ndihmën time, Kombet e Bashkuara janë të gatshme të asistojnë”,- theksoi ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic.
 
Me ndërmjetësin Nimic biseduam për kushtetueshmërinë greke për përmbajtjen e Marrëveshjes së Prespës, tha ministri alternativ grek, Katrugalos. 
 
“Biseduam për progresin dhe për disa probleme që u krijuan në periudhën e kaluar dhe falënderova për kontributin e dhënë deri më tani. Shpresoj përfundimisht të arrihet zgjidhje e këtij problemi”,- u shpreh Katrugalos. 
 
Ndërkohë burimet nga Qeveria në Athinë për agjencinë ANA-MPA, kanë bërë të ditur se amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë janë në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës.
 
Sipas tyre, kontestues ka qenë paragrafi 3 i nenit 49, më saktësisht pjesa në të cilën thuhet se shteti kujdeset për “popullin maqedonas i cili jeton në vendet fqinje”. Me versionin e ri, në vend “populli maqedonas”, shkruan “diaspora”, e cila nuk është kontestuese për Greqinë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU