Maqedoni
Target i përgjimeve të DSK-së edhe bashkëshortja dhe vëllai i Mijallkovit
13.12.2018 16:05
Me marrje në pyetje të dëshmitarit, Gjorgji Llazarevski, inxhinier i mëparshëm në MPB në Gjykatën Penale, vazhdoi seanca gjyqësore për rastin e Prokurorisë Speciale “Target – Fortesa”....

Sipas Llazarevskit, përskaj qindra gazetarëve, politikanëve dhe biznesmenëve, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka përgjuar edhe Aleksandra Mijallkovën - bashkëshorten e Sasho Mijallkovit dhe vëllanë e tij, Vllatkon. Në pyetjen e prokurorit të PSP-së, Artan Ajro, se çfarë mendon sa i përket numrave që i ka potencuar si target senzitiv për ndjekjen e komunikimeve, Llazarevski tha se kanë ekzistuar dy target, ato kanë qenë Aleksandra Mijallkova dhe Vllatko Mijallkov. Ai po ashtu bëri të ditur se ka nxjerrë 800 gigabajt material nga sistemi për ndjekjen e komunikimeve të ashtuquajtur baza e të dhënave ales. Llazarevski sqaroi se edhe si në mënyrë teknike i ka përpunuar të dhënat që të jenë të lexueshme dhe të sistematizuara.
Ndërkohë në pyetjen se pse nuk e ka paraqitur rastin në MPB, Llazarevski doli me sqarim: “në afat prej tre vitesh unë dhe Zvonko kemi nxjerrë biseda të përgjuara jolegale nga sistemi i MPB-së. Qëllimi ishte të paraqitet se janë kryer aktivitete jolegale dhe materiali me dëshmitë i është dhënë Zoran Verushevskit. Përpara se t’i jepen Verushevskit, janë sistematizuar të dhënat, është fshirë vetëm prefiksi i numrave të Maqedonisë”.
Formatimin e ka kryer Zvonko Kostovski në kompjuter zyrtar, ndërkaq më pas Llazarevski nga shtëpia i ka rregulluar. Sipas tij, gjatë kopjimit të llogarive nga sistemi nuk lihet gjurmë, pasi që kopjimi është bërë drejtpërdrejtë nga disku. Ndryshe, sipas aktpadisë, përmes tre sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë joligjore ishin përgjuar 4.286 numra telefonikë për të cilat aspak nuk është dhënë urdhër gjyqësor.
Komunikimi ishte përgjuar para se të jepeshin dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë të vendimeve gjyqësore të 1.451 numrave ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë. Sasho Mijallkov dhe Goran Grujevski, së bashku me Gordana Jakulloskën dhe Nikolla Boshkovskin, ngarkohen edhe për shkatërrim të sistemit për përgjim në MPB dhe pajisjeve intermediare të operatorëve në vlerë prej 1.418.879 eurove, ndërsa Valentina Simonovska për falsifikim të dokumentit zyrtar.
FLUTURA LATIFI
