Maqedoni

Amnistia për “27 prillin”, të hënën para deputetëve

13.12.2018 16:29

Përderisa procesi gjyqësor për dhunën e 27 prillit në Kuvend ka arritur në fazën përfundimtare...

Përderisa procesi gjyqësor për dhunën e 27 prillit në Kuvend ka arritur në fazën përfundimtare, pritet që propozim Ligji për amnisti për një pjesë të pjesëmarrësve në dhunën e Kuvendit të hënën të jetë në rend ditë në Kuvend. Mësohet se më së paku 17 persona nuk do të përfshihen me ketë ligj, mes të cilëve edhe ish drejtori i Byrosë për Siguri, Mitko Çavkov, dhe ish shefi i DSK-së, Vlladimir Atanasovski, të cilin 3 të akuzuar e përmendën si organizatorë të ndodhive të 27 prillit.
 
Personat të cilët nuk do të përfshihen në këtë propozim ligj do të kenë të drejtë që në afat prej 5 ditësh të kërkojnë amnisti, por kjo nuk do të vazhdojë edhe për ata të cilët kanë pasur përgjegjësi komanduese, kanë qenë organizatorë por edhe që kanë kryer sulme fizike dhe kanë lënduar deputetë. Sipas propozim ligjit, ata që përfshihen në amnisti kanë mundësi të dorëhiqen nga e njëjta dhe të kërkojnë që në procedurë gjyqësore të vërtetohet pafajësia e tyre.
 
Propozim ligjin për amnisti nuk e përkrah opozita. Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk do të marrin pjesë në seancë, pasi që vlerësojnë se amnistia selektive u përshtatet vetëm deputetëve të opozitës që votuan për ndryshimet kushtetuese, ndërkaq propozuesit e ligjit konsiderojnë se ky është hap i parë drejt relaksimit të marrëdhënieve në shoqëri.
 
Ndërkohë, procesi gjyqësor për të akuzuarit në këtë rast ka vazhduar me dëshmitarë të palës mbrojtëse. Sipas akuzës për ngjarjet e 27 prillit, për veprën “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe shtetit” akuzohen 33 persona prej të cilëve 2 për “nxitje”.
 
Të akuzuar në këtë rast janë ish shefi i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, pesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, Krsto Mukovski, Luben Arnaudov, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski, Lupço Dimovski dhe iniciatorë të Lëvizjes për Maqedoni të Përbashkët etj. Fillimisht të gjithë të akuzuarit ishin në paraburgim, por pas propozimit për pajtim të kryeministrit, Zoran Zaev, dhe nevojës për t’u votuar ndryshimet kushtetuese, një pjesë e të akuzuarve, përfshirë deputetë të VMRO-DPMNE-së u liruan nga paraburgimi.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI