Botë

Nesër vendimi për ushtrinë e Kosovës, Kosnett: Votimi për ushtrinë e Kosovës, historik

13.12.2018 16:57

Të premten, Kuvendi i Kosovës me 120 ulëse pritet të miratojë tre projektligjet....

Të premten, Kuvendi i Kosovës me 120 ulëse pritet të miratojë tre projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të zgjeruar. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një postim në Twitter, edhe një herë e ka konfirmuar mbështetjen e ShBA-së për ushtrinë e Kosovës. 
 
“Votimi i nesërm për transicionin e FSK-së është historik për Kosovën. ShBA do ta mbështesë zhvillimin profesional dhe evolucionin organizativ të FSK-së, e cila duhet të luajë një rol pozitiv për Kosovën dhe rajonin, duke reflektuar karakterin shumetnik të vendit dhe përkushtimin e popullit të Kosovës për paqe. Seanca e nesërme e Kuvendit dhe ceremonia e FSK-së duhet të jenë raste për reflektim solemn dhe ripërkushtim për paqe, stabilitet e prosperitet për Kosovën dhe fqinjët e saj. Tani është koha për të gjithë liderët dhe faktorët ta fokusojnë energjinë në dialog”,- ka shkruar ambasadori amerikan. 
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kazermën “Adem Jashari” ka inspektuar trupat e FSK-së, ku ka deklaruar se shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës nuk paraqet rrezik për askënd. 
 
“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është faktor kontribuues dhe siguri në rajonin tonë dhe më gjerë. Ne i sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë, NATO-n dhe të gjitha shtetet, se dëshirojmë paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të botës. Gjithashtu falënderojmë gjithë partnerët dhe aleatët tanë për mirëkuptimin dhe mbështetjen. Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë gjithmonë në mbrojtje të qytetarëve dhe pronës së tyre pa asnjë dallim. Ushtarë të Republikës së Kosovës, urime detyrat e reja. Kryeni me nder dhe përgjegjësi!”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, bën të ditur se prej vitesh janë bërë përgatitje për transformimin e FSK-së në ushtri. 
 
“Pas Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2012, ka filmuar sistemi strategjik për formimin e ushtrisë duke u mbështetur nga ShBA-ja. Në vitin 2014 kemi dalë me rekomandime që ne na nevojitet një forcë e jona. Kosova e ka fituar mbrojtjen e vendit me formimin e ushtrisë dhe do të jetë forcë mbrojtëse, kontribuuese për paqe në rajon dhe vend”,- u shpreh ish-komandanti i FSK-së, KAdri KAstrati.
 
Enver Dugolli - gjeneral brigade, vlerëson se ky proces ka shkuar shumë ngadalë pasi Kosova tashmë është shtet dhe duhej të kishte ushtrinë edhe më herët.
 
“FSK prej nesër do të jetë moment për t’u shënuar, pasi prej nesër kompletohet me një mekanizëm qe forcon integritetin e Kosovës brenda dhe në arenën ndërkombëtare. Ne nuk jemi ndierë të barabartë me koleget tanë pasi FSK-së i kanë munguar disa elemente si ai i funksionit”,- tha gjenerali i Brigadës, Enver Dugolli. 
 
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke kundërshtuar themelimin e ushtrisë së Kosovës thotë se i ka të qarta të gjitha veprimet e Prishtinës dhe se, sipas tij, janë joligjore dhe ilegale, por ato po bëhen me mbështetjen e amerikanëve dhe britanikëve. Por, pa marrë parasysh reagimin e Beogradit, Kuvendi i Kosovës për nesër në orën 10:00 ka caktuar seancën në të cilën pritet të miratohen tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri.
 
GYLTENE SINANI