Ekonomi
OEMVP, TOP 100 kompanitë më të suksesshme. Suksesi i kompanive, impakt direkt në ekonomi
13.12.2018 18:01
Mbi 661 milion euro është qarkullimi vjetor i top 100 kompanive anëtare të OEMVP-së.....

Për dallim nga viti paraprak kompanitë kanë rritur neto-fitimin dhe numrin e të punësuarve. Kjo, sipas kryetarit të OEMVP-së, Nebi Hoxhës, flet për rëndësinë dhe peshën që ka OEMVP në ekonominë e përgjithshme të vendit. Ky manifestim, sipas tij, do të vazhdojë të shërben si një stimul plus për kompanitë, në mënyrë që ato të vazhdojnë sukseset e tyre në biznes.
“TOP 100 dëshmon se sa kompanitë janë të guximshme të rrezikojnë shumëçka për të arritur deri te numrat që pasqyrojnë sukses, sukses i cili ka impakt direkt në ekonominë e vendit tonë. Edhe pse jo çdoherë marrin mbështetjen e duhur nga institucionet e shumta në vend, ato me profesionalizëm dhe etikë, arrijnë deri te pikësynimet e tyre. Niveli i suksesit mund të arrijë kulminacionin e tij vetëm me bashkimin e forcave”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Neptun, Kipper, Bas Tutti Fruti, Pofix dhe Vardar Dollomit u shpallën për pesë kompanitë më të mira këtë vit. Nga kompania fituese Neptun theksojnë se viti ka kaluar me plot sfida, të ndikuara edhe nga turbulencat politike. Por, presin ditë më të mira për biznesin dhe për ekonominë e vendit në përgjithësi.
“Duke i marrë parasysh sfidat e 2017-s, Neptun i përballon të gjitha sfidat dhe besoj që ka arritur një sukses jashtëzakonisht të madh. Duke i parë rritjen e 2018-s dhe sidomos planet e buxhetit për 2019-n dhe vitin 2020, besoj që Neptun do të jetë përsëri një ndër riterët më të mëdhenj në Maqedoni”,- tha afaristi, Arsim Papraniku.
I pranishëm në këtë eveniment, kreu i qeverisë, Zoran Zaev, theksoi se rritja e neto fitimit të kompanive në krahasim me vitet tjera, sipas tij, vërteton klimën e favorshme që ka krijuar qeveria për bizneset. Ai tha se qeveria do të ketë mirëkuptim për kërkesat që kanë bizneset.
“Qeveria iu është përgjigjur kërkesave të komunitetit të biznesit për uljen e dënimeve të mëdha të cilat në të kaluarën janë përdorur për kërcënime dhe mbyllje të kompanive. Dënimet tani e tutje do të jenë të drejta. Do të bëhet klasifikim në mes kompanive të mëdha, të mesme dhe të vogla. Dënimet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të ulen për deri në 60%”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Rangimi i kompanive u bë në bazë të qarkullimit vjetor, neto-fitimit, numrit të të punësuarve, kthimit të kapitalit dhe investimit.
ERSAN PAJAZITI
