Maqedoni

Pr/amendamentet kushtetuese, qeveria: Morëm parasysh sugjerimet, pjesërisht

13.12.2018 18:10

Pas hartimit dhe dorëzimit në Kuvend të tekstit final të projekt amendamenteve kushtetuese....

Pas hartimit dhe dorëzimit në Kuvend të tekstit final të projekt amendamenteve kushtetuese, qeveria sqaroi se ka marrë parasysh disa nga sugjerimet e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së, disa nga sugjerimet e opozitës shqiptare dhe sugjerime nga diskutimi publik. 
 
Për rrjedhojë, është ndryshuar teksti i amendamentit 34 dhe teksti i amendamentit 36. Propozim amendamentet së bashku me raportin për diskutimet publike i janë dërguar kuvendit, ku duhet të vazhdojë procedura parlamentare.
 
“Nga teksti fillestar i projekt amendamenteve të Kushtetutës së RM-së deri te teksti i tanishëm final, përmes procesit të konsultimeve dhe debateve publike që patëm javën e kaluar, ku morën parasysh diskutimet në Kuvend, ku morën pjesë tetë deputetët e VMRO-së, ku mori pjesë edhe opozita shqiptare, erdhëm në konstatim se dy nga katër amendamentet duhet të pësojnë ndryshime”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski.
 
Përcaktimi i shqiptarëve si popullsi mbi 20% mbetet edhe më tej kategori kushtetuese, pasi qeveria nuk e ka pranuar sugjerimin e opozitës shqiptare.
 
“Ajo që mund të them tani është se me ndryshimet janë përfshirë edhe një pjesë e sugjerimeve që kishte opozita shqiptare. Këto janë ndryshimet finale që janë dërguar në Kuvend, kështu që procesi vazhdon më tej në formën e paraparë me kushtetutë dhe ligj”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski.
 
Qeveria dhe shumica parlamentare mbeten të përkushtuara për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. Plan B nuk ka.
 
“Qeveria është e përkushtuar plotësisht për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, përmes fazës në të cilën jemi tani, përkatësisht amendamenteve kushtetuese që janë në proces, tani sërish në Kuvendin e RM-së. Në tërësi respektojmë dhe zbatojmë të gjitha dispozitat e shënuara në Marrëveshjen e Prespës dhe nuk ka asgjë jashtë saj në procesin e zbatimit. Dje patëm informatë edhe nga Athina se ka shumicë që do ta miratojë marrëveshjen”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakoski.
 
Qeveria konfirmoi se, ekspertët e angazhuar nga Qeveria për hartimin dhe prezantimin e ekspertizave rreth projekt/amendamenteve në diskutimet publike kanë marrë honorare nga 20 mijë denarë.
 
SHPËTIM NUREDINI