Botë
Tiranë, vazhdojnë protestat e studentëve
13.12.2018 18:43
Teksa studentët kanë përshkallëzuar protestën në ditën e dhjetë para parlamentit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk e ka dekretuar buxhetin për vitin 2019....

Ai ka vendosur ta rikthejë ligjin në kuvend, me qëllim pasqyrimin e kërkesave të studentëve në buxhet. Sipas Metës, kërkesat e studentëve janë vlerësuar nga politika si të drejta, legjitime dhe të realizueshme, dhe për rrjedhojë ai i ka dhënë një shans të dytë Kuvendit dhe mazhorancës për të rishikuar buxhetin dhe për të reflektuar në të pretendimet e studentëve.
Ndërkohë, kryeministri, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit i ka ftuar sërish studentët për t'u ulur dhe për të biseduar. Rama tha se protesta po përdoret edhe nga disa segmente që duan rrëzimin e qeverisë duke shfrytëzuar protestën studentore.
“Nga ky dialog do të dalë një marrëveshje e kalendarizuar, ku për çdo pikë përgjegjësit do të përgjigjen për zbatimin ose moszbatimin e çdo pike. Tetë pikat janë të realizueshme dhe ne jemi gati t'i realizojmë. Por, në çfarë forme? Qeveria nuk është sot në konflikt me studentët, por është gjithë sy e veshë te studentët. I falënderoj për shuplakën ndaj qeverisë edhe ndaj meje, sepse janë ata që na bëjnë më të vetëdijshëm në punën tonë. Tre çereku i atyre pikave nuk ka lidhje me qeverinë, janë çështje të brendshme të universitetit. Shpresa se forumet brenda universitetit mund t'i zgjidhin këto probleme, çfarë problemesh janë këto publikimi online i shpenzimeve të universiteteve është detyrë e qeverisë? Si mund të them po pa i parë në sy? Publikimin e shpenzimeve të universitetit online duhet ta bëjë çdo universitet. Ku është te tetë pikat që të mos iu kërkojnë para për provimet? Ku është te tetë pikat? Nuk dua që protesta të mbarojë. Le të vazhdojë në çdo universitet në formën e një rrjeti të strukturuar njerëzish që sot nuk e mbyllin se janë aty për arsye ekonomike dhe ikin pastaj kokulur. Ajo që unë kërkoj është dialog, për të hapur një kapitull tjetër bazuar në këto tetë pika. Duhet të zgjidhim çështjen e diskriminimit të tyre brenda mureve të universiteteve”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërkohë, pas përfundimit të seancës plenare, studentët kanë lënë ambientet para kuvendit, duke iu drejtuar kryeministrisë. Ata shprehen të vendosur që të mos e ndërpresin protestën pa iu plotësuar të gjitha kërkesat.
LULJETA NDOKA
