Maqedoni

ShBA mbështet Marrëveshjen e Prespës, Pompeo: I hap rrugën vendit për në NATO dhe BE

14.12.2018 15:22

ShBA-ja mbështet Marrëveshjen historike të Prespës dhe beson se pala greke me sukses do ta përmbyllë procesin e ratifikimit...

ShBA-ja mbështet Marrëveshjen historike të Prespës dhe beson se pala greke me sukses do ta përmbyllë procesin e ratifikimit, i cili më pas do t’i hapë rrugën Maqedonisë për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE- së, ka deklaruar sekretari shtetëror i ShBA-së, Majk Pompeo, pas takimit me ministrin alternativ të punëve të jashtme të Greqisë, Jorgos Katrugallos. Njëherit marrëveshja do t’i jep forcë Greqisë për ta ndalur ndikim rus në Ballkan, ka vlerësuar Pompeo.  
 
“Në qershor Greqia nënshkroi Marrëveshjen e Prespës, që pati ndikim pozitiv ekonomik dhe e bëri Greqinë portë të Ballkanit. Urojmë Qeverinë greke që punoi dhe e arriti këtë dokument. Marrëveshja do t’i mundësojë fqinjit tuaj të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së si Republikë e Veriut. Gjithashtu do ta forcojë Ballkanin nga ndikimi  negativ rus”,- u shpreh sekretari shtetëror i ShBA-së, Majk Pompeo.
 
Katrugallos ka përsëritur vendosmërinë e qeverisë së Ciprasit se do ta zbatojë Marrëveshjen e Prespës, e cila, siç thotë, do të jetë interes i të dyja palëve. 
 
“Nuk po mundohemi t’i mbrojmë vetëm interesat tona nacionale, por edhe të jem faktor stabilizues dhe paqësor në Ballkan. Për këtë edhe e arritëm Marrëveshjen e Prespës. Për ne dhe për  fqinjin verior është dokument i dobishëm”,- tha ministri alternativ i punëve të jashtme në Greqi, Jorgos Katrugallos.
 
Uashingtoni dhe Athina do të vazhdojnë të punojnë së bashku për promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit dhe të Mesdheut lindor, janë dakorduar sekretari shtetëror amerikan, Pompeo dhe ministri grek, Katrugallos. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU