Maqedoni

Decentralizimi, Shilegov: Nevojiten komuna financiarisht stabile

14.12.2018 15:41

Maqedonia ka nevojë për decentralizim me komunat financiarisht stabile....

Maqedonia ka nevojë për decentralizim me komunat financiarisht stabile, porositi kryetari i Qytetit të Shkupit dhe i BNJVL-së, Petre Shilegov, në konferencën nacionale për decentralizimin. Sipas tij, do të duhet që të analizohen kompetencat dhe financat aktuale dhe më pas të bëhen projeksione për veprimet e mëtejme. 
 
“Angazhimet tona janë të thjeshta, thellim i decentralizimit. Jemi gati për sfida të reja, por nevojitet financim stabil dhe adekuat të çdo kompetence të komunave. Qytetarët duan rezultate dhe s’duan të dëgjojnë për borxhet e komunave. Qytetarët duan ujësjellës, rrjet të kanalizimit, rrugë, kopshte për fëmijë, ajër të pastër. Nëse nuk i realizojmë këto, ata me të drejtë do të zhgënjehen”,- tha kryetarii i BNJVL-së, Petre Shilegov.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, tha se komunat mund të llogarisin në mbështetjen e qeverisë. Zaev premtoi investime në komunat lokale gjatë 2019-s.
 
“Infrastruktura, rrugët, kopshtet dhe shkollat do të jenë pjesë e projekteve të planifikuara. Nga Banka Botërore veç më janë siguruar 70 milion euro për ndërtimin e rrugëve lokale dhe 50 milion euro për rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ambasadori i OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, tha se do të duhet të definohen përgjegjësitë e komunave dhe mënyra se si do të avancohet procesi i decentralizimit.
 
“Decentralizimi duhet të ofrojë shërbime më të mira dhe jetë më cilësore për qytetarët. Tani është koha që të riaktualizojmë procesin, të bashkohen forcat, koordinohen synimet dhe të vendoset për hapat e mëtejmë”,- u shpreh ambasadori i OSBE-së, Klemens Koja.
 
Komunat konstatojnë se decentralizimi vitet e fundit është lënë pas dore duke u ngarkuar me borxhe. BNJVL kërkon rritjen e TVSh–së në 10% si dhe tatimin personal në 50%.
 
MERAL ISMAILI