Shkup - Londër, 25 vjet marrëdhënie diplomatike, Galovej: Deputetët të zbatojnë marrëveshjen
Maqedonia dhe Britania e Madhe shënojnë një çerek shekull nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.....

Maqedonia dhe Britania e Madhe shënojnë një çerek shekull nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Në këto 25 vjet, Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur vendin si në përforcimin e demokracisë dhe institucioneve, po ashtu edhe në procesin eurointegrues. Nga ky prizëm, ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçel Galovej, përkujtoi deputetët për përgjegjësinë që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, si marrëveshje historike që mundëson realizimin e përcaktimin strategjik të Maqedonisë, anëtarësimin në BE dhe NATO.
“Ju deputetët e këtij institucioni keni përgjegjësi të madhe që të dëshmoni dialog të vërtetë, t’u përmbaheni standardeve demokratike dhe të punoni në procesin e pajtimit, duke dhënë kështu shembull pozitiv për shoqërinë përmes respektimit të sundimit të ligjit. Puna e Kuvendit paraqet kontribut të rëndësishëm në agjendën euroatlantike të Maqedonisë. Marrëveshja e Prespës është marrëveshje historike e cila i mundëson Maqedonisë që të ndjek caqet e saj strategjike. Tani është me rëndësi që procesi të përfundojë me fokus të qartë të përcjelljes së përcaktimit të qytetarëve që të bëhen pjesë e bashkësisë euroatlantike”,- tha ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçel Galovej.
XHAFERI: KA VULLNET PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, shprehu bindjen se kjo shumicë parlamentare ka vullnetin dhe kapacitetin që të plotësojë obligimit e saj, veçanërisht të përmbyllë procesin e ndryshimeve kushtetuese për të hapur rrugën për fazat e tjera, që vendi të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe të hap bisedimet për anëtarësim në BE.
“Për ne me rëndësi është që në këto 25 vjet, Britania e Madhe gjithmonë ka qenë mik i vërtetë dhe përkrahës i Republikës së Maqedonisë në të gjitha përpjekjet e saj, në çdo plan, si në planin ndërkombëtar, qoftë në ndihmesën e gjithanshme në procesin e tranzicionit, veçanërisht në përforcimin e demokracisë, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Në planin ndërkombëtar, Britania e Madhe është përkrahës aktiv në përcaktimin tonë për integrim euroatlantik, përkatësisht anëtarësimin tonë të plotë në NATO dhe BE”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Me rastin e shënimit të 25-vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore dhe Republikës së Maqedonisë u nënshkrua memorandum për bashkëpunim me të cilin Fondacioni Vestminster për Demokraci do të sigurojë ndihmë nga Mbretëria e Bashkuar për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
