Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës në Greqi, Zaev: Besoj tek Tsiprasi se do ta kalojë marrëveshjen

14.12.2018 17:05

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, është shprehur optimist se Marrëveshja e Prespës do të kalojë edhe në parlamentin grek....

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, është shprehur optimist se Marrëveshja e Prespës do të kalojë edhe në parlamentin grek. Ai tha se beson në kolegun e tij Alexis Tsipras, qeverinë dhe popullin grek pasi që sipas tij ata duhet t’i japin shans një marrëveshje të këtillë historike nga e cila përfitojnë dy vendet.

“Duhet t’i japin shancë një marrëveshje të këtillë historike pasi që është në favor të dy vendeve dhe popujve. Besoj se benifitet do të vërehen në ditët dhe muajt e ardhshëm nga implementimi i saj. Unë jam i bindur se besimin që e kam në Alexis Tsipras do të implementohet në parlament, njësoj siç unë po përpiqem që besimin që ka Tsipras në mua dhe qeverinë se do të implementohet në kuvend” – u shpreh kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE, ZAEV: PROCESI INKLUZIV SIGURON SUKSES

Sa i përket votimit në fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë , Zaev tha se bëhet fjalë për një proces shumë serioz për të cilin, siç tha, as ai nuk mund të garantojë, por ajo që duhet bërë dhe po e bëjnë në vazhdimësi është inkluziviteti në proces dhe pret që nga mesi i janarit gjithçka të përfundojë me sukses.

“Duhet që ta qartësojmë për të gjithë se nuk dolën “arinj” nga amendamentet, nuk ka asgjë të fshehur. Kishim proces inkluziv. Kërkesën e bashkësisë shqiptare lidhur me preambulën në pjesën ku krijohej përshtypja se jetojnë në kuadër të kufijve sikur të jenë të përkohshëm qytetarët e bashkësive më të vogla, menjëherë e pranuam. Në pjesën e kujdesit të shtetit ndaj diasporës e kyçëm gjithë diasporën, jo vetëm popullin maqedonas. Çështjen e rëndësishme të amendamentit 36 apo nenit 49, paragrafi i parë, e forcuam identitetin maqedonas. Unë besoj se deputetët këtë do ta pranojnë pasi që ata e propozuan”,- tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

AMNISTIA, ZAEV: LIGJI KA PËR QËLLIM PAJTIMIN

Lidhur me Ligjin për amnisti, Zaev pret që ai të miratohet së shpejti, ndërsa i njëjti ka për qëllim pajtimin me të cilin qartë do të ndahet dhuna nga organizimi.

“Ligji për amnisti ka për qëllim përfundimtar, të sjellë pajtimin dhe dhënien e dorës mes parlamentarëve. Ligji bën dallim të qartë dhe përkufizim se ç”farë do të thotë pjesëmarrje në dhunë, flet për personat e maskuar dhe pjesëmarrjen në dhunë, çfarë do të thotë të ngresh dorë dhe çfarë do të thotë organizim dhe paramendim, të cilat ndahen njëra me tjetrën dhe ligji nuk i vlerëson njësoj”,- deklaroi kryeministri i RM-Së, Zoran Zaev.

I pyetur nëse është i gatshëm që të përballet në një duel televiziv me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan MickoskiN, Zaev tha se “jam i gatshëm që kurdo dhe kudo të debatoj me Mickoskin, por fillimisht le ta thotë qartë nëse është për BE dhe NATO ose le ta tregojë ai qartë alternativën e tij”. (Naim Ramadani, TVM2)