Maqedoni
Aksidenti tragjik në Leskovac, shoferi do të shoqërohet në polici pas shërimit
17.12.2018 16:39
6 nga të lënduarit në aksidentin në Leskovac të Serbisë ende mbeten në gjendje serioze dhe janë në trajtim në spitalin klinik të Nishit...

Dy prej tyre janë në gjendje kritike dhe mbahen në aparatura sociale për frymëmarrje. Tetë personave të tjerë të lënduar në aksident u është përmirësuar gjendja shëndetësore.
Personat me më pak lëndime do të kthehen në Maqedoni, ndërsa një pjesë prej tyre kanë kërkuar të vazhdojnë rrugëtimin.
“Numri gjithsej i pacientëve që po trajtohen këtu është 6. Deri më tani gjendja e tyre është stabile, por janë me lëndime serioze dhe do t’iu duhet një periudhë prej disa ditësh për mjekim të plotë. Dy prej tyre janë në aparate të frymëmarrjes, nga të cilët njëri me lëndime në kokë, ndërsa tjetri në kurriz. Tetë persona janë në spitalin e Leskovacit ku janë me më pak lëndime dhe për pak ditë pritet të lëshohen për mjekim shtëpiak”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Jemi këtu për t’u ndihmuar sa mundemi të gjithë atyre që pësuan nga kjo fatkeqësi. Për personat me më pak lëndime po sigurohen tashmë kushte që të kthehen në Maqedoni, ndërsa disa të tjerë kanë kërkuar të vazhdojnë drejt Vjenës”,- tha sekretari i qeverisë, Dragi Rashkovski.
Në mesin e të lënduarve është edhe shoferi i Kompanisë “Eurobus” nga Struga. Ai gjendet në spitalin e Leskovacit nën shoqërim të policisë, nën dyshimin se është përgjegjës për aksidentin që la tre viktima dhe 32 të lënduar. Ende nuk ka një version zyrtar për shkaqet e aksidentit.
Udhëtarët dëshmojnë se ka pasur shumë borë dhe rruga nuk ka qenë e pastruar, por mediat serbe spekulojnë se shoferi ka vozitur me shpejtësi prej 100 km në orë, tërësisht e papërshtatshme për kushtet në rrugë.
Të lënduarit nuk kanë një version të qartë të asaj që ndodhi pasi kanë qenë në gjumë në momentin e fatkeqësisë. Udhëtarët e autobusit ishin kryesisht të rinj, shumica prej tyre udhëtonin drejt Vjenës për të gjetur punë.
ZEKIRIJA MEXHITI
